Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”, Valon Zeqiri, ka njoftuar se ka nisur një aksion i gjerë në terren për vendosjen e rreth 1,000 ujëmatësve digjital tek konsumatorët më të mëdhenj të ujit në qytet.
Sipas tij, qëllimi i këtij aksioni është i qartë: sigurimi i ujit të pijshëm për çdo qytetar dhe ndëshkimi i të gjithë atyre që keqpërdorin këtë resurs jetik. Ekipet e ndërmarrjes janë angazhuar në instalimin e matësve të rinj, kryesisht në biznese që përdorin ujin për qëllime komerciale, përfshirë qendrat tregtare, restorantet, autolarjet dhe fabrikat.
Gjatë kontrolleve të realizuara sot në terren, në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal, është konstatuar një rast i rëndë në një nga qendrat tregtare të qytetit. Përveç parregullsive në matje, është zbuluar edhe një lidhje e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, duke anashkaluar sistemin e kontrollit dhe faturimit.
Po ashtu, është evidentuar se kanalizimi fekal ishte lidhur në rrjetin atmosferik, duke shkaktuar rrezik serioz për mjedisin dhe duke u cilësuar si një katastrofë ekologjike për qytetin.
Autoritetet kanë bërë të ditur se janë mbledhur të gjitha provat dhe se ndaj përgjegjësve do të ndërmerren masa rigoroze ligjore. Aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me kontrolle të shtuara në të gjithë territorin.
Nga NPK “Sharri” u bëhet thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të aplikojnë për kyçje të rregullt dhe ligjore në rrjetin e ujësjellësit. Çdo lidhje e jashtëligjshme që do të konstatohet do të përballet me sanksione të ashpra.
Mesazhi i institucionit mbetet i prerë: “Paguaj ujin që të kesh”, ndërsa theksohet se Tetova ka ujë të mjaftueshëm, por është e domosdoshme mbrojtja e tij nga keqpërdorimet.
Lajmi ditës
SKANDAL: Një qendër tregëtare në Tetovë, është kyçur ilegalisht në rrjetin e kanalizimit dhe rrjetin e ujësjellësit, kapet nga inspektorati
