Lajmi ditës

Si të regjistroheni për lëvizje në pyjet e Malit Sharr?

Si të regjistroheni për lëvizje në pyjet e Malit Sharr?

Të nderuar vizitorë të Parkut Kombëtar Mali Sharr,
Ju njoftojmë se, për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga zjarret në pyje, Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr, me rekomandim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, vendos ndalim të lëvizjes së paparaqitur në pyjet e territorit që administrohet nga Parku Kombëtar Mali Sharr.
Ndalimi do të jetë në fuqi nga 1 korriku deri më 31 gusht. Përjashtim nga kjo ndalesë bëjnë vetëm personat që jetojnë ose kanë prona në Malin Sharr.
Si ta paraqisni vizitën tuaj në Parkun Kombëtar Mali Sharr?
Vizitorët mund të lëvizin në park vetëm pasi të kenë marrë konfirmimin që dërgohet automatikisht pas plotësimit të aplikimit elektronik.
Paraqitja bëhet duke plotësuar formularin elektronik për regjistrimin e vizitorëve në faqen zyrtare të Parkut Kombëtar Mali Sharr.
Pas plotësimit të formularit, do të merrni një e-mail konfirmues se lëvizja juaj është regjistruar.
Leja mund të merret edhe në formë të shtypur, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 15:30, në ambientet e institucionit.
Pagesa për hyrjen e automjeteve
Gjatë vizitës në Parkun Kombëtar Mali Sharr, kujtojmë se hyrja e automjeteve motorike paguhet.
Pagesa mund të kryhet:
Përmes platformës elektronike të parkut;
Me SMS në numrin 144-555, duke dërguar kategorinë e automjetit dhe numrin e targës (shembull: A TE5678ET për veturë);
Ose duke skanuar kodin QR dhe duke ndjekur udhëzimet.
Tarifat janë:
Motoçikletë dhe veturë – 150 denarë;
Furgon dhe minibus deri në 20 ulëse – 250 denarë;
Autobus dhe automjete të rënda – 450 denarë.
Për informata shtesë mund të telefononi në 076 221 551.
Tarifat vlejnë për të gjithë vizitorët që lëvizin me automjete motorike në rrugët e lejuara të parkut. Pronarët e pronave private dhe subjektet juridike të regjistruara në territorin e parkut janë të liruar nga kjo pagesë.
Kujdes i shtuar për të parandaluar zjarret
Për të shmangur pasojat nga zjarret, kërkohet kujdes maksimal.
Në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr ndalohet rreptësisht:
ndezja e zjarrit;
përdorimi i skarës;
hedhja e bishtave të cigareve;
lënia e mbeturinave;
çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarr.
Nëse vëreni zjarr ose ndonjë rrezik tjetër për natyrën, njoftoni menjëherë në numrin 112.
Për mosrespektimin e kësaj ndalese, personave fizikë që do të kapen duke lëvizur në pyje dhe në tokë pyjore do t’u shqiptohen gjoba në përputhje me nenin 106 të Ligjit për Pyjet.
Detyrimi për paraqitjen e lëvizjes nuk vlen për:
Ministrinë e Punëve të Brendshme;
Ministrinë e Mbrojtjes;
Policinë Pyjore;
Qendrën për Menaxhimin e Krizave;
Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim;
Inspektoratin Shtetëror për Pylltari dhe Gjueti;
Personat që jetojnë ose kanë prona në Malin Sharr;
Personat që kanë marrë konfirmim elektronik për lëvizjen e paraqitur.
Apelojmë te të gjithë vizitorët që t’i respektojnë rregullat dhe rekomandimet. Vetëm me përgjegjësi të përbashkët mund ta ruajmë natyrën dhe sigurinë e Malit Sharr.

Ndaj / Сподели