Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të forta lidhur me marrëdhëniet e disa gazetarëve me ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.
Në një deklaratë për mediat, Berisha përmendi me emra gazetarët Baton Haxhiu, Berat Buzhala dhe Albatros Rexhaj, duke pretenduar se ata kishin takuar dhe bashkëpunuar me Hysenin.
“Tre gazetarët Baton Haxhia, Berat Buzhala dhe Albatros Rexha që kanë takuar Vlora Hysenin kanë shkelur ligjin dhe janë të dënueshëm”, deklaroi Berisha, duke kërkuar që çështja të ndiqet edhe në rrugë ligjore.
Deklaratat e Berishës vijnë në një kohë kur Vlora Hyseni ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ajo po hetohet nga SPAK për akuzat “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
