– Stabiliteti dhe fuqizimi i Maqedonisë së Veriut janë interes strategjik i Shqipërisë, ndërsa shqiptarët dhe maqedonasit përbëjnë dy shtyllat mbi të cilat qëndron shteti. Kështu ka deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Rishtazi” në KohaCast, duke theksuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë popullsi shtetformuese dhe se dobësimi i këtij shteti do të nënkuptonte edhe dobësimin e Shqipërisë.Duke folur për rëndësinë strategjike që ka Maqedonia e Veriut për Shqipërinë, kryeministri Rama përdori metaforën e një republike që qëndron mbi dy këmbë, duke iu referuar rolit të shqiptarëve dhe maqedonasve në funksionimin e shtetit. “Maqedonia e Veriut është interes strategjik i Shqipërisë, që të jemi të qartë. Maqedonia e Veriut është një republikë sovrane që mbahet mbi dy këmbë. Njëra këmbë janë maqedonasit, tjetra këmbë janë shqiptarët. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë popullsi shtetformuese. Nuk ka Maqedoni të Veriut pa shqiptarët, ashtu siç nuk ka Maqedoni të Veriut pa maqedonasit”, deklaroi Rama në intervistën ekskluzive për KohaCast.Kreu i Qeverisë shqiptare nënvizoi se interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve nuk është dobësimi apo destabilizimi i Maqedonisë së Veriut, por përkundrazi, forcimi i saj si shtet sovran dhe stabil.Sipas Ramës, patriotizmi shqiptar nuk bie ndesh me interesin për një Maqedoni të Veriut të fortë, pasi stabiliteti dhe fuqizimi i dy vendeve janë të ndërlidhura. “Nuk ka askund, në asnjë cep të mendjes së një shqiptari patriot dhe normal nga mendja e kokës, që të dojë ta ngatërrojë, ta pengojë apo ta shqetësojë Maqedoninë e Veriut, sepse nëse Maqedonia e Veriut dobësohet, ne, Shqipëria, nuk jemi më të fortë, jemi më të dobët”, theksoi kryeministri shqiptar.
Lajmi ditës
Rama: Nuk ka Maqedoni të Veriut pa shqiptarët, ashtu siç nuk ka pa maqedonasit
