Lajmi ditës

Alarm në Gjermani: AfD kërkon dëbimin masiv të 2,6 milionë të huajve – kush rrezikon të preket nga ky plan?

Alarm në Gjermani: AfD kërkon dëbimin masiv të 2,6 milionë të huajve – kush rrezikon të preket nga ky plan?

Bashkëkryetari i partisë gjermane „Alternativa për Gjermaninë“ (AfD), Tino Chrupalla, ka kërkuar që deri në 2,6 milionë njerëz të largohen nga Gjermania, përfshirë sirianë, afganë dhe ukrainas të cilëve u është dhënë mbrojtje.

Në një bisedë për podkastin „Unter zwei“ të gazetës „Bild“, ai deklaroi se kthimi i tyre duhet të shqyrtohet nëse pushojnë arsyet për të cilat këtyre personave u është miratuar mbrojtja, transmeton INA.

Chrupalla kërkon largimin e të huajve që tashmë kanë një detyrim të tillë, si dhe të shtetasve të huaj të dënuar për vepra penale, por propozimi i tij përfshin edhe një grup më të gjerë njerëzish. Sipas tij, përfundimi i luftës në Ukrainë ose përmirësimi i ndjeshëm i situatës së sigurisë në Siri dhe Afganistan do të duhej të mundësonte kthimin e tyre.

Deklarata e tij shkaktoi kritika nga ekspertët e së drejtës së migracionit, por edhe mosmarrëveshje brenda vetë partisë AfD. Profesori i drejtësisë në Universitetin e Konstancës, Daniel Thym, vlerësoi se një paraqitje e tillë e shifrave e vë publikun në lajthitje, pasi statusi i mbrojtjes duhet të shqyrtohet individualisht dhe nuk pushon automatikisht për të gjithë shtetasit e një vendi të caktuar. Sipas të dhënave që transmetojnë mediat gjermane dhe „Correctiv“, në fund të qershorit 2026 rreth 259.000 njerëz kishin detyrim të largoheshin nga Gjermania, dhe rreth 77 për qind e tyre kishin shtyrje të përkohshme të dëbimit, të njohur si „Duldung“. Kjo shtyrje zbatohet kur kthimi është përkohësisht i pamundur për shkak të pengesave ligjore ose faktike, si gjendja shëndetësore, mungesa e dokumenteve të udhëtimit ose pamundësia për të organizuar dëbimin.

Chrupalla së fundmi u kritikua edhe nga bashkëpartiakët e tij pasi dënoi veprimet e shërbimit amerikan të imigracionit (ICE), ndërsa kërkesa e tij për kthimin e miliona njerëzve rihapi sërish debatin për politikën e migracionit në parti.(INA)

Ndaj / Сподели