Maqedonia sot do të jetë nën ndikimin e një mase ajrore të ngrohtë, e cila do të sjellë mot me diell dhe shumë të nxehtë gjatë orëve të paradites, me vranësira të pakta deri mesatare lokale dhe erë të dobët deri mesatare nga drejtimi juglindor.
Temperaturat e mëngjesit do të lëvizin nga 8 deri në 17 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale ditore do të arrijnë nga 27 deri në 34 gradë, duke e bërë këtë ditë një nga më të nxehtat e kësaj periudhe të vitit.
Megjithatë, nga mesdita dhe gjatë orëve të pasdites atmosfera do të bëhet e paqëndrueshme. Për shkak të ngrohjes së fortë të ajrit do të zhvillohen re konvektive, të cilat lokalisht do të sjellin reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Në disa zona proceset mund të jenë më intensive dhe të shndërrohen në stuhi afatshkurtra të shoqëruara me shkarkime të forta elektrike, reshje të dendura shiu, erë të fortë si dhe paraqitje të breshrit, ndërsa lokalisht mund të ketë edhe breshër me përmasa më të mëdha.
Kushtet më të favorshme për paqëndrueshmëri do të jenë në pjesët perëndimore, jugperëndimore, verilindore dhe në disa zona të lindjes së vendit.
Në Shkup moti do të jetë me diell dhe i ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare. Pasdite në disa pjesë të luginës do të ketë kushte për reshje afatshkurtra shiu, bubullima dhe erë të përforcuar, ndërsa lokalisht nuk përjashtohet mundësia për stuhi me breshër. Temperatura maksimale do të arrijë rreth 33 gradë Celsius.
Apel për qytetarët: Për shkak të mundësisë për stuhi lokale, rekomandohet kujdes i shtuar gjatë qëndrimit në ambiente të hapura. Në rast të bubullimave dhe shkarkimeve elektrike, shmangni qëndrimin në hapësira të hapura dhe nën pemë të vetmuara. Automjetet mos i parkoni nën pemë të vjetra dhe të larta për shkak të rrezikut nga erërat e forta dhe rënia e degëve.
Deri të enjten, moti në Maqedoni do të mbetet kryesisht i ngrohtë dhe veror, me temperatura ditore që do të lëvizin ndërmjet 26 dhe 34 gradëve. Paradite do të mbizotërojë mot me diell dhe vranësira të moderuara, ndërsa pasdite do të ketë kushte për zhvillim lokal të vranësirave të paqëndrueshme, të shoqëruara me reshje shiu, bubullima dhe erë të përforcuar.
Në shumë vende do të ekzistojë rreziku për stuhi afatshkurtra me reshje intensive dhe breshër, veçanërisht në zonat malore dhe fushëgropat ku atmosfera do të jetë më e paqëndrueshme.
Meteorologët rekomandojnë ndjekjen e rregullt të njoftimeve të motit për shkak të mundësisë së ndryshimeve të shpejta dhe dukurive të motit të ligë lokale.
Lajmi ditës
Meteorologët paralajmërojnë: Vapë gjatë ditës, stuhi dhe breshër në mbrëmje në Maqedoni
