Zhvillime të reja kanë ndodhur mbrëmjen e sotme lidhur me kërkimet për Albert Sylajn, të dyshuarin për vrasjen e Arlinda Zekajt, krim që tronditi opinionin publik më 25 tetor.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari është lokalizuar sonte, më 27 tetor, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për t’u vetëdorëzuar, pasi paraprakisht të ketë mundësinë të bisedojë me familjarët e tij.
Sipas informacioneve ekskluzive që ka siguruar Sinjali, Sylaj ka komunikuar me vëllain e tij përmes interfonit, duke i kërkuar që t’i mundësohen dhjetë minuta për të folur me familjen para se të dorëzohet. “Vetëm 10 minuta të flas me familjen”, mësohet të ketë qenë kërkesa e tij gjatë këtij komunikimi.
Burimet bëjnë të ditur se zhvillimet e fundit kanë krijuar pritshmëri që vetëdorëzimi i të dyshuarit të realizohet së shpejti, ndonëse ende nuk ka konfirmim se ai është dorëzuar apo arrestuar.
Ky zhvillim vjen pas informacioneve se Sylaj ishte raportuar të jetë parë mbrëmjen e djeshme në Prishtinë, ndërsa dyshohej se po kërkonte ndihmë për t’u larguar drejt Serbisë.
Sipas burimeve, vetëdorëzimi pritet të realizohet së shpejti, ndërsa mbetet të konfirmohet përfundimi i veprimeve të autoriteteve.