Lajmi ditës

Gjendja alarmante në Gostivar, reagon Limani – ja çfarë thotë

Gjendja alarmante në Gostivar, reagon Limani – ja çfarë thotë

Pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarët lidhur me cilësinë e ujit dhe disa rasteve të raportuara me probleme në lukth, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka dalë me një reagim zyrtar për opinionin. Ai ka njoftuar se me rekomandim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), është vendosur ndalim i përkohshëm i përdorimit të ujit të ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit, si një masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Kryetari Limani sqaroi se, sipas analizave të rregullta që kryen NP “Komunalec”, mostrat e analizuara deri më tani kanë rezultuar brenda vlerave të lejuara ligjore. Megjithatë, pas pranimit të denoncimeve, Prokuroria Publike, policia dhe institucionet e tjera kompetente kanë kryer kontrolle shtesë dhe kanë marrë mostra të reja për analiza laboratorike, rezultatet zyrtare të të cilave priten të publikohen së shpejti.
Lidhur me pretendimet e përhapura në opinion për një përzierje të mundshme të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, Limani bëri të ditur se, sipas informacioneve nga NP “Komunalec”, në lokacionin e përmendur nuk ekziston fare rrjet i kanalizimit. Ai shtoi se çdo pretendim po verifikohet me imtësi dhe se për momentin nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike që vërteton se shqetësimet në lukth kanë ardhur nga uji i qytetit.
Komuna e Gostivarit konfirmon se është në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet e përfshira dhe premton transparencë maksimale sapo të dalin gjetjet e ekspertëve. Në mbyllje të reagimit, kryetari Limani u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, ta respektojnë vendimin e përkohshëm dhe të informohen ekskluzivisht nga burimet zyrtare, duke theksuar se përgjegjësia e të gjithëve në këto momente është të mos përhapen informacione të paverifikuara.

Ndaj / Сподели