Lajmi ditës

Erdogani po ia kthen shpinën Ramës? Ja për çfarë e akuzojnë mediat e presidentit turk kryeministrin shqiptar!

Erdogani po ia kthen shpinën Ramës? Ja për çfarë e akuzojnë mediat e presidentit turk kryeministrin shqiptar!

Mediat turke duket se po e heqin përfundimisht maskën ndaj Edi Ramës. Nëse deri pak ditë më parë raportimet nga Ankaraja fokusoheshin te protestat dhe projektet turistike në Sazan e Zvërnec, tani sulmi po shkon shumë më thellë. Një nga gazetat më të mëdha të Turqisë, “Daily Sabah“, ka publikuar një analizë të gjatë ku protestat në Shqipëri lidhen drejtpërdrejt me afrimin e Edi Ramës me Izraelin dhe me atë që media turke e konsideron zgjerim të ndikimit izraelit në Ballkan.

Artikulli e paraqet Shqipërinë si një nga pikat kyçe të një loje të madhe gjeopolitike ku përplasen interesat e fuqive globale. Por ndryshe nga analizat e mëparshme, këtë herë në qendër vendoset vetë Edi Rama.

“Daily Sabah” ndalet veçanërisht te vizita e kryeministrit shqiptar në Knesset dhe deklaratat e tij në mbështetje të Izraelit. Gazeta kujton se Rama deklaroi se “derisa Hamasi të zhduket plotësisht, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme”, ndërsa vlerësoi publikisht bashkëpunimin me Izraelin në fushën e mbrojtjes, sigurisë, inteligjencës dhe sigurisë kibernetike.

Sipas medias turke, ky pozicionim nuk ka kaluar pa pasoja në Shqipëri. Analiza argumenton se tensionet e brendshme janë thelluar pikërisht pas këtij rreshtimi diplomatik, duke sugjeruar se një pjesë e pakënaqësisë publike lidhet me afrimin gjithnjë e më të madh të Tiranës me Tel Avivin.

Në shkrim përmendet edhe projekti i Jared Kushner në Sazan, por “Daily Sabah” shkon përtej debatit mjedisor. Gazeta citon zëra që flasin për një zgjerim të pranisë ekonomike dhe strategjike izraelite në Shqipëri, duke përmendur investimet në turizëm, energji, pasuri të paluajtshme dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Madje artikulli ngre akuza edhe më të forta, duke pretenduar se pas projekteve turistike fshihen interesa me peshë gjeopolitike, për shkak të afërsisë së zonave të investimit me pika strategjike ushtarake në Adriatik.

Por pjesa më domethënëse e analizës është toni. Për vite me radhë, mediat turke e kanë trajtuar Edi Ramën si një nga aleatët më të afërt të presidentit Recep Tayyip Erdogan në Ballkan. Raportet mes dy liderëve janë paraqitur si model bashkëpunimi politik, ekonomik dhe strategjik. Sot, e njëjta media që dikur fliste për partneritetin Ankara-Tiranë, po publikon analiza ku Shqipëria paraqitet si pjesë e zgjerimit të ndikimit izraelit në rajon dhe ku vetë Rama vendoset në qendër të kritikave.

Mes rreshtave, mesazhi që vjen nga Ankaraja duket i qartë: vizita e Ramës në Izrael dhe deklaratat e tij në mbështetje të qeverisë Netanyahu nuk janë pritur mirë në Turqi. Aq më tepër në një moment kur marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Tel Avivit ndodhen në një nga pikat më të ulëta të viteve të fundit.

Nëse raportimet e ditëve të fundit mund të interpretoheshin si interes mediatik për protestat shqiptare, analiza e Daily Sabah ngjan më shumë me një sinjal politik. Dhe sinjali duket se është se mbështetja që Edi Rama ka gëzuar për vite me radhë në Turqi nuk konsiderohet më aq e pakushtëzuar sa dikur.

Ndaj / Сподели