Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re ligjore kundër dhunës, e cila parashikon dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që qëndrojnë në turma ku ushtrohet dhunë, duke qenë në dijeni të saj.Prezantimi vjen një ditë pas protestës së të shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme, sulme me bomba molotov ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.
Gjatë prezantimit, Rama akuzoi Partinë Demokratike se ishte vënë në krye të dhunës së ushtruar gjatë protestës, ndërsa pretendoi se selia e saj ishte përdorur si strehim dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse.Kryeministri foli edhe për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar situatën e krijuar si përpjekjen e fundit të kundërshtarëve përpara përmbylljes së procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Durim dhe kurajo. Duhet ta kalonim edhe këtë, sepse jo të gjithë e duan suksesin, paqen dhe sigurinë e Shqipërisë. Është përpjekja e tyre e fundit përpara se ne ta vulosim faqen e fundit të historisë së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Zhurmën e kanë të madhe, shanset i kanë zero”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk do të tërhiqet nga misioni për integrimin europian të Shqipërisë, duke u zotuar se do të vijojë punën për realizimin e këtij objektivi. Ai nënvizoi se synimi është që flamuri shqiptar të jetë përkrah flamujve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
