Në shënimet e tij të javës në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal te situata në Lindjen e Mesme dhe siguria e qytetarëve që ndodhen në zonat e konfliktit.
Ai tha se situata mbetet e ndërlikuar dhe është e vështirë të parashikohet fundi i ofensivës SHBA-Izrael, që sipas kryeministrit, nisi me plotë të drejtë.
Rama u shpreh se përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë dhe autoritetet vendase. Sa i përket fluturimeve, ai theksoi se mbetet një sfidë për të gjithë.
“Kjo është një situatë që kërkon qetësi, kujdes, informim vazhdueshëm nga burimet zyrtare. Ndërkohë që ne jemi solidarë me të gjitha vendet e prekura, përfshi pa diskutim, edhe Qipron, një vend mik, i cili po ashtu u godit, edhe Greqinë në shenjë të fortë solidariteti për çka ndodh në Qipro, po njëkohësisht edhe Turqinë në të njëjtën kohë që po ashtu u tentua të goditej nga një raketë e neutralizuar menjëherë nga forcat e NATO-s”, tha Rama.
Nuk la pas ironitë për opozitën, teksa e konsideroi si burimin më të madh të dezinformimit. Ai u shpreh se në Shqipëri ka pasur thashetheme dhe spekulime për mundësinë e një sulmi mbi Shqipërinë.
