Ndërkohë, nga kjo ndërmarrje apelojnë te të gjithë qytetarët që të kontribuojnë në mbrojtjen e pronës publike, pasi ajo është në shërbim të të gjithë komunitetit dhe ruajtja e saj është përgjegjësi e përbashkët.
Një nga nënstacionet e transportit publik në Tetovë, që ndodhet pranë Gjykatës Themelore të Tetovës, është dëmtuar ditë më parë nga persona të papërgjegjshëm, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.
Nga Ndërmarrja Publike Tetova-Transport theksojnë se ky nuk është vetëm dëmtim i një objekti publik, por edhe mungesë respekti ndaj të gjithë qytetarëve që çdo ditë shfrytëzojnë transportin publik. “Ndërmarrja Publike Tetova-Transport vlerëson se dëmtimet e pronës publike në nënstacionet e transportit publik janë raste të izoluara dhe nuk paraqesin dukuri të shpeshtë. Megjithatë, çdo dëmtim i inventarit publik, qoftë i ulëseve, tabelave informuese, nënstacioneve apo pajisjeve të tjera, shkakton kosto shtesë për ndërmarrjen dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm për riparim dhe mirëmbajtje. Këto mjete financiare dhe burime njerëzore, të cilat do të mund të përdoreshin për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve, orientohen në sanimin e dëmeve të shkaktuara”, thonë për gazetën KOHA nga Ndërmarrja Publike Tetova-Transport.
