Lajmi ditës

Rikthehet “Marshall Tito”, BDI: Vendimi për emrat më Tetovë, pjesë e çmontimit të arritjeve të shqiptarëve

Rikthehet “Marshall Tito”, BDI: Vendimi për emrat më Tetovë, pjesë e çmontimit të arritjeve të shqiptarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) reagoi ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi vendimin e Komunës së Tetovës nga viti 2007 për riemërtimin e një sërë rrugësh dhe hapësirash publike, duke vlerësuar se ky zhvillim dëshmon se “fushata për çmontimin e arritjeve politike të shqiptarëve po hyn në një fazë të re”.

Në reagimin e saj, BDI thekson se rikthimi i emrit “Marshal Tito” në sheshin qendror të Tetovës nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një procesi më të gjerë politik.

“Rikthimi i emrit ‘Marshal Tito’ në sheshin qendror të Tetovës është vetëm shenja më e fundit e një realiteti që po bëhet çdo ditë më i dukshëm: institucionet e shtetit po përdoren për të fshirë gjurmët e barazisë së fituar me dekada përpjekje politike”, thuhet në kumtesën e partisë.

Sipas BDI-së, zhvillimet e fundit nuk duhet të befasojnë askënd, pasi, siç vlerësojnë ata, përfaqësimi politik i shqiptarëve në pushtet është reduktuar në një rol formal.

“Në këtë proces nuk ka vend për habi. Kur përfaqësimi shqiptar reduktohet në dekor qeveritar, vendimet fillojnë t’i marrin të tjerët. Kur mungon guximi për të mbrojtur interesat kombëtare, humbjet bëhen të pashmangshme. Kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se përfaqësimi, pasojat i paguajnë qytetarët”, thekson BDI.

Partia opozitare vlerëson se përgjegjësia për situatën e krijuar nuk qëndron vetëm te Gjykata Kushtetuese, por edhe te përfaqësuesit politikë shqiptarë në pushtet.

“Përgjegjësia nuk ndalet te Gjykata Kushtetuese. Përgjegjësia është edhe e atyre që legjitimojnë këtë realitet çdo ditë me heshtjen, servilizmin dhe paaftësinë e tyre politike”, thuhet më tej në reagim.

BDI u ka bërë thirrje shqiptarëve të mos e pranojnë, sipas saj, normalizimin e këtij kursi politik.

“BDI i bën thirrje çdo shqiptari të refuzojë normalizimin e këtij kursi politik. Asimilimi politik nuk fillon me një vendim të vetëm. Ai fillon kur një popull mësohet t’i pranojë humbjet si diçka të zakonshme”, thekson partia.

Në fund të reagimit, BDI rithekson qëndrimin e saj se nuk do të pajtohet me zhvillime që, sipas saj, cenojnë pozitën politike të shqiptarëve në vend.

“BDI nuk do ta pranojë këtë”, përfundon kumtesa.

Ndaj / Сподели