Lajmi ditës

Elon Musk bëhet trilioneri i parë në botë pas rritjes historike të SpaceX

Elon Musk bëhet trilioneri i parë në botë pas rritjes historike të SpaceX

Pak liderë biznesi kanë qenë aq thonësisht të rrënjosur në kulturën popullore sa Elon Musk, sipërmarrësi ambicioz i cili u kthye në një figurë qendrore të kulturës së internetit dhe grumbulloi një pasuri që e bëri atë trilionerin e parë në botë – respektivisht të parin që zotëron një mijë miliardë dollarë. Në një kohë kur shqetësimet për pabarazinë janë të larta dhe qëndrimi i publikut ndaj ultra-të-pasurve është përkeqësuar, Musk ka arritur të ruajë një grup ndjekësish besnikë me gjithë pasurinë e tij përrallore, pa pasur atë karizmën e thjeshtë dhe popullore që u ndihmoi manjatëve të tjerë, si Warren Buffett, të bëheshin të dashur për publikun e gjerë. Musk ka një ndikim të rëndësishëm në industrinë e automobilave, sektorin e hapësirës, inteligjencën artificiale dhe rrjetet sociale. ​Ndërsa adhuruesit e tij e konsiderojnë stilin e Muskut – të drejtpërdrejtë dhe pa filtra – si pjesë të magjepsjes së tij, kritikët e akuzojnë atë për zotërimin e një fuqie të ngjashme me atë të oligarkëve, shprehin shqetësime për menaxhimin e kompanive të tij dhe kundërshtojnë ndërhyrjet e tij politike gjithnjë e më partiake.

​Megjithatë, “SpaceX” – kompania gjigante e raketave, satelitëve dhe inteligjencës artificiale, e cila së bashku me prodhuesin e makinave elektrike “Tesla” përbën bërthamën e perandorisë së Muskut – mblodh dje një vlerë rekorde prej 75 miliardë dollarësh përmes ofertës së saj të parë publike të aksioneve, gjë që nënvizoi entuziazmin e investitorëve për sipërmarrjet e tij biznesore. Përpara shitjes së aksioneve, “Forbes” e vlerësonte pasurinë e tij neto në rreth 780 miliardë dollarë, shumë përpara personit pasues në listë, bashkëthemeluesit të “Alphabet”, Larry Page.

​”Njeriu i dytë më i pasur lëvizte rreth vlerës prej 300 miliardë dollarësh, që është më pak se një e treta e asaj që Musk potencialisht mund të vlejë nesër. Dhe vetëm një person tjetër, themeluesi i ‘Oracle’, Larry Ellison, ka arritur ndonjëherë një pasuri prej 400 miliardë dollarësh,” deklaroi Matt Duro, zëvendësredaktor në “Forbes Wealth”.
​Pjesa më e madhe e pasurisë së Muskut tani është e lidhur me “SpaceX”, ku ai zotëron një pjesë me vlerë prej afërsisht 866 miliardë dollarësh. Së bashku me “Tesla-n” dhe asetet e tij të tjera, pasuria e tij neto do të kalojë 1.1 trilionë dollarë (1.1 mijë miliardë dollarë) kur aksionet të fillojnë të tregtohen sot, sipas vlerësimeve të “Forbes” dhe “Reuters” të bazuara në dokumentet korporative.
​Musk u bë një emër i njohur në çdo familje përmes “Tesla-s” dhe “SpaceX-it”, përpara se të zgjeronte më tej ndikimin e tij me blerjen e rrjetit social Twitter për 44 miliardë dollarë në vitin 2022. Ajo marrëveshje i siguroi atij një kanal direkt me qindra miliona përdorues dhe e bëri atë një zë të shquar për çështje që variojnë nga politika dhe imigracioni, deri te shpenzimet shtetërore e liria e fjalës.
​Përfshirja e tij në politikë, veçanërisht roli i tij në Departamentin e Efikasitetit Qeveritar të Presidentit amerikan Donald Trump vitin e kaluar, ishte ndër sipërmarrjet e tij më kontreverse. Pasojat politike korresponduan me rënien e shitjeve të “Tesla-s” në disa tregje ndërkombëtare në vitin 2025, kur protesta dhe bojkote nga konsumatorët u shënjestruan ndaj prodhuesit të automjeteve elektrike.

​Musk, i cili është 54 vjeç, lindi në Pretoria të Afrikës së Jugut, nga një nënë kanadeze dhe babai afrikano-jugor. Ai studioi në Universitetin e Pensilvanisë, ku u diplomua në vitin 1997. Ai mori postin e CEO-t të Tesla-s në vitin 2008 me bindjen se automjetet elektrike mund të ofronin performancë të lartë të kombinuar me funksione të udhëhequra nga softueri, duke ndihmuar në rimodelimin e industrisë globale të automobilave. Disa analistë dhe vëzhgues të sektorit të automobilave vlerësojnë se suksesi i Tesla-s – dhe vlera e saj tregtare që kaloi një trilion dollarë – i nxiti prodhuesit tradicionalë të makinave që të ktheheshin drejt zhvillimit dhe prodhimit të automjeteve elektrike.

Ndaj / Сподели