Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) publikoi sot dokumente që, sipas partisë, dëshmojnë për ekzistimin e një lidhjeje pronësore dhe biznesore ndërmjet ish-kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe drejtorit aktual të NOMAGAS-it, Nedim Rama, i cili konsiderohet një nga bashkëpunëtorët më të afërt të liderit të VLEN-it, Izet Mexhiti.
Në një kumtesë për opinionin, BDI-ja thekson se dokumentet e siguruara nga Agjencia e Kadastrës ngrenë dyshime serioze lidhur me marrëdhëniet pronësore mes dy zyrtarëve.
Sipas të dhënave të publikuara nga partia, në Fletën Pronësore nr. 730 në Komunën Kadastrale Lisec-Vongrad figurojnë si bartës të së drejtës Visar Ganiu dhe Nedim Rama. BDI-ja thekson se të dy lidhen me parcelën 1/455, e regjistruar në të njëjtin lokalitet.
Po ashtu, sipas dokumenteve të paraqitura, për të njëjtën parcelë është hapur edhe Fleta për Parashënim të Ndërtimit nr. 1213, ku si bartës i së drejtës figuron Visar Ganiu.
Partia opozitare thekson se në këtë parcelë janë evidentuar shtatë objekte me destinim “A4-3 / shtëpi vikendi”, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për një pronë të zakonshme, por për një kompleks prej disa objekteve vikendi të ndërlidhura me persona që, sipas saj, deri dje kanë menaxhuar pushtetin lokal, ndërsa sot drejtojnë institucione strategjike shtetërore.
Në reagimin e saj, BDI ngre një sërë pyetjesh publike, duke kërkuar sqarime për kohën dhe mënyrën e krijimit të kësaj lidhjeje pronësore ndërmjet Visar Ganiut dhe Nedim Ramës, burimin e mjeteve financiare për ndërtimin e shtatë objekteve vikendi, si dhe nëse këto prona dhe investime janë deklaruar në fletët anketuese dhe deklarimet e pasurisë.
Gjithashtu, partia pyet nëse ekzistojnë marrëdhënie të tjera biznesore ndërmjet personave që aktualisht mbajnë pozita të rëndësishme publike.
