Lajmi ditës

Teologia Merjem Lumi heq shaminë, e le fenë – ja rrëfimi i saj

Teologia Merjem Lumi heq shaminë, e le fenë – ja rrëfimi i saj

Një nga figurat më të njohura të predikimit islam në rrjetet sociale shqiptare, Merjem Lumi, ka rikthyer vëmendjen e publikut me një rrëfim të pazakontë dhe emocional për transformimin e saj personal dhe shpirtëror.
Pas më shumë se dy dekadash të përkushtuara ndaj fesë islame, studimeve teologjike dhe aktivitetit publik si predikuese, ajo është shfaqur pa shami dhe me emrin Maria – emri që i ishte vendosur nga gjyshja para se të konvertohej në Islam në moshën 13-vjeçare.
Në një dëshmi të sinqertë, Maria tregon se viti i fundit ka qenë periudha më e vështirë e jetës së saj, e shoqëruar me krizë identitare, zhgënjim, sulme në rrjetet sociale dhe pyetje të thella shpirtërore.
“Nuk jam kthyer e krishterë, por nuk jam më as ajo që kam qenë”, shprehet ajo, duke theksuar se aktualisht ndodhet në një proces kërkimi të brendshëm dhe reflektimi mbi raportin e saj me Zotin.
Ajo rrëfen se për vite me radhë ishte e bindur se po jetonte në shërbim të besimit, por ngjarjet e fundit e shtynë të rishqyrtojë shumë prej bindjeve të saj. “Merjemja nuk pati mundësi t’ia dalë. Vdiq. Ajo që mbeti janë vetëm pyetjet”, thotë ajo, duke e përshkruar periudhën e fundit si një shembje të gjithçkaje që kishte ndërtuar në aspektin personal dhe shpirtëror.
Rrëfimi i saj ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale. Ndërsa shumë e kanë mbështetur për guximin dhe sinqeritetin, të tjerë kanë shprehur kritika ndaj ndryshimit të saj dhe qëndrimeve të reja që ka bërë publike.
Maria thotë se nuk dëshiron të identifikohet më me etiketa fetare, por të ndërtojë një raport të ri me Zotin, të bazuar në kërkim personal dhe liri shpirtërore.

Ndaj / Сподели