Ish komandanti i UÇK-së, Xhezair Shaqiri-Hoxha ka dalë me një mesazh të fortë në nder të 2 Majit- sot kur po shënohet përvjetori i shpalljes së Karadakut zonë e lirë. Ai ka sulmuar ashpër ata që për 2 dekada manipuluan me vlerat dhe luftën e UÇK-së, ndërsa harruan më meritorët.
“Fatkeqësisht, tubimet për UÇK-në po mbahen për t’ju dhënë fjalë po të njëjtëve njerëz që nuk kanë çka tregojnë për betejat dhe janë aty sa për t’i duartrokitur. Sllupçani dhe vendet tjera ku janë zhvilluar betejat, meritojnë shumë më shumë organizime historike për brezat e ardhshëm, jo për uniformat e hekurosura për selfie”, thekson Hoxha në postimin në Fejsbuk.
Sipas tij, të flasësh për luftërat e UÇK-së, duhet o të kesh marrë pjesë në një betejë më së paku ose të kesh ide apo njohuri mbi luftën dhe strukturat ushtarake, nga skuadra, togu, batalioni, brigada deri tek zëdhënësi e përfaqësuesi politik i UÇK-së.
Pyetni, shton ai, “nëse keni mundësi t’i takoni këta me uniforma të hekurostë, a kanë marrë pjesë në ndonjë betejë apo kanë dhënë bile se paku ndonjë urdhër apo ide si të organizohet apo fitohet së paku një betejë- “mos pritni që skuqen nga frika e turpit që nuk kanë përgjigjën që prisni”.
“Gjithçka që themi me luftën e UÇK-së apo djemtë që bën namin me trimëri nëpër beteja të shumta fitimtare, është e kotë, tjerët ta marrin për lavd. Gjërat kanë shkuar aq larg ku ata me uniforma të hekurostë mirë, që janë paraqit për selfie mbas betejave përvetësuan luftën e trimave, e trimat janë lënë në harresë dhe të përbuzur”, ka thënë Hoxha.
Të flasësh për lavditë e UÇK-së dhe komandant Sokolin me shokë nga po të njëjtët që vuajnë në burg është ‘no koment’. “Respekt e nderime për shokët e familjarët e dëshmorëve dhe bashkëluftëtarëve të cilët e njohin erën e barutit”, thekson Hoxha.
Në realitet, thekson ai, kur të filloj të shkruaj të vërtetën se si dhe kush ka zhvilluar njërën apo tjetrën betejë, “ju nuk do ta kuptonit sepse jeni manipuluar jo ma pak se 2 dekada me foto selfie dhe dezinformata të shumta nga ata që as për së afërmi nuk e kanë përjetuar luftën; “pakica o nëpër podrume, shumica o nëpër Prizren”.
“Nderohet lufta e UÇK-së dhe respektohen varrezat e dëshmorëve, kurse në anën tjetër nënçmohen, persekutohen ushtarët trima të UÇK-së të cilët janë shokët e afërm të dëshmorëve dhe shëtitën në mesin tuaj sikur dëshmorë të gjallë ku shumica ende kanë pasoja të plagëve”, shkruan komandant Hoxha.
