Kreu i njërit krah të Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka nisur negociatat për t’u bërë pjesë e shumicës parlamentare.
Këto zhvillime vijnë pas deklaratave të Izet Mexhiti nga VLEN, i cili theksoi se dera e Qeverisë mbetet e hapur për Selën. Sipas burimeve jozyrtare, Sela ka kërkuar që partisë së tij t’i takojë Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në kuadër të rikonstruimit të pritshëm të Qeverisë gjatë muajve maj–qershor. Në këtë kontekst, pritet edhe largimi i ministrit aktual, Fatmir Limani.
Po sipas të njëjtave burime nga Tema.mk Sela ka propozuar që deputetja Ilire Dauti të drejtojë këtë ministri. Nga Qeveria nuk ka ende një qëndrim zyrtar për këto informacione, duke theksuar se gjithçka do të bëhet e qartë pas rikonstruimit. Ndryshe, kjo ministri konsiderohet ndër më të rëndësishmet për nga pesha dhe buxheti në Maqedonia e Veriut./Tema.mk/
