12 vite ndërtim, Teatri dhe Biblioteka e Tetovës ende pa afat përfundimi
Publikuar 12:32 8 Mars, 2026
Punimet për përfundimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës do të zvarriten përsëri dhe nuk pritet të përfundojnë këtë vit. Ndonëse ky objekt ndërtohet për rreth 12 vite, ende nuk ka datë konkrete se kur përfundimisht do t’i hapë dyert për publikun. Për këtë vit, Ministria e Kulturës ka ndarë 57 milionë denarë (rreth 920 mijë euro), shkruan Portalb.mk.
Ndonëse në fund të vitit 2024 u paralajmërua se deri në fund të vitit 2025 pritej të përfundojnë punimet për objektin e ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, punimet do të zgjasin më shumë, ndërsa nuk ka afat konkret se kur pritet të përfundojnë.
Nga Ministria e Kulturës nuk tregojnë ndonjë afat konkret se kur përfundimisht ky objekt do të lëshohet në përdorim.
“Për vitin 2026, i cili është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, për këtë objekt janë siguruar 57.280.000,00 denarë. Në varësi të dinamikës së realizimit të këtyre mjeteve, gjatë vitit Ministria e Kulturës dhe Turizmit për këtë qëllim mund të sigurojë mjete shtesë financiare përmes rishpërndarjes ose në kushte të ribalancimit të buxhetit për këtë vit”, thanë nga Ministria e Kulturës.
Nga aty thonë se punimet në objekt janë në vijim dhe po realizohen në përputhje me mjetet financiare të siguruara, ndërsa arsyetohen se në vitet e kaluara nuk janë siguruar mjete financiare sipas dinamikës së paraparë, ndërtimi i objektit është zvarritur.
