Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, i është drejtuar publikisht kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e tij ndaj Qeverisë pas punësimit të bashkëshortes së tij në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.Në një video të publikuar, Imeri Stafai rikujton deklaratat e mëparshme të Taravarit, i cili e kishte cilësuar Qeverinë aktuale si edhe më të keqe se ajo e Nikolla Gruevskit.Ajo e pyet Taravarin se si shpjegohet që, ndërsa për aktivistët e tij, sipas saj, kishte arsye dhe pengesa për punësim, kur bëhet fjalë për familjen e tij, mundësitë hapen.“Nëse kjo qeveri është më e keqe se ajo e Gruevskit, çfarë borxhi të paska pasur që të të nderojë me këtë punësim?”, pyet deputetja e VLEN-it.
Imeri Stafai e vë theksin te dallimi që, sipas saj, ekziston mes qëndrimeve publike të Taravarit ndaj Qeverisë dhe përfitimeve që familja e tij merr nga institucionet nën drejtimin e saj.Ajo kërkon shpjegim për këtë kontrast, duke vënë në pikëpyetje nëse Qeveria është vërtet e papranueshme, siç e ka cilësuar Taravari, apo nëse ky qëndrim ndryshon kur bëhet fjalë për interesat familjare.
