Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka pritur sot në takim zyrtar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, me ç’rast u diskutua për thellimin e bashkëpunimit parlamentar, marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe procesin e integrimit evropian të rajonit.Gashi e vlerësoi vizitën si dëshmi të përkushtimit të përbashkët për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e dialogut ndërmjet dy parlamenteve. Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës karakterizohet nga dinamika intensive dhe shprehu bindjen se ai do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen.Sipas Gashit, të dy vendet ndajnë vizionin për një rajon paqësor, të sigurt dhe ekonomikisht të zhvilluar, të integruar në strukturat euroatlantike. Në këtë drejtim, ai nënvizoi rëndësinë e dialogut dhe koordinimit për çështjet me interes të përbashkët rajonal.Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu u zotua për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit konstruktiv mes dy institucioneve. Ajo bëri të ditur se kjo është vizita e saj e parë zyrtare në një shtet të huaj në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar atë si dëshmi të rëndësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.Haxhiu shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata dhe iniciativa shumëpalëshe e rajonale.Integrimi evropian dhe bashkëpunimi rajonal kanë qenë gjithashtu ndër temat kryesore të takimit. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi duhet të kontribuojë në përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit, duke u bazuar në meritë, përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e qëndrueshëm të reformave.Gashi dhe Haxhiu theksuan edhe rëndësinë e nxitjes së kontakteve mes qytetarëve, të rinjve, komuniteteve akademike dhe bizneseve, duke vlerësuar se këto lidhje përbëjnë një bazë të rëndësishme për miqësi dhe partneritet afatgjatë.Në takim u shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në botë, me theks të veçantë te nevoja për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.Në përfundim, të dy kryetarët shprehën bindjen se vizita zyrtare do të ndikojë në forcimin e mëtejshëm të besimit të ndërsjellë dhe në identifikimin e mundësive konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve.
Lajmi ditës
Gashi priti Haxhiun në Kuvend: Thellim i bashkëpunimit parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës
