Një edukatore në Korçë është arrestuar nga policia pas denoncimit të nënës së një fëmije 4-vjeçar për ushtrim dhune. Nëna e të miturit u ka thënë hetuesve se fëmija shfaqte gjendje jo të mirë dhe i kishte treguar për goditjet nga edukatorja. Ndaj të arrestuarës rëndon dyshimi për veprën penale të “Keqtrajtimit të të miturve”.
Policia e Korçës ka nisur menjëhetë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Përveç marrjes së dëshmive, hetuesit po kryejnë edhe këqyrjen e pamjeve nga kamerat e sigurisë së kopshtit. Këto prova pritet të përcaktojnë vërtetësinë e akuzave dhe shkallën e përgjegjësisë së edukatores.
