Analisti politik Xhelal Neziri është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për skenën politike në vend, Qeverinë, si dhe ekonominë e vendit.
Neziri theksoi se skena politike tani është më e qartë se në të kaluarën. Ai gjithashtu tregoi për vështirësitë që kanë pasur gazetarët me zyrtarët politik vitet e mëparshme.
Skena politike është më e qartë sesa ka qenë përpara. Më herët kishim 5-6 parti ose më shumë, nuk merrej vesh kush për çfarë angazhohej. Tani e shoh se ka dy grupime politike. Dalin parti futen tjera, por prapë ka 2 boshte. Në të kaluarën ka qenë shumë e vështirë të marrësh deklaratë nga zyrtarët politik, ndërsa sot është më e lehtë. Edhe vetë partitë përdorin rrjetet sociale. Është pejzash tjetër nga jo që ka qenë në të kaluarën”, tha Neziri.Sa i përket Qeverisë aktuale, ai tha se partnerët shqiptarë nuk kanë pozitë të favorshme, për shkak të numrave.
“Qeveria e tanishme është stabile dhe nuk rrezikohet nga numrat. Gjithashtu OBRM-PDUKM-ja është e fuqishme me 59 deputetë dhe kjo situatë është e rëndë për partnerin shqiptar. Çdo parti që do të ishte në koalicion me këtë OBRM-PDUKM, do të ishte në situatën e njëjtë si VLEN-i. Nëse BDI-ja pa zgjedhje futet në Qeveri do të jetë fundi i saj dhe zgjedhjet e radhës ka gjasa të jetë parti minore. Atë gabim e bëri PDSH-ja në vitin 2008 dhe e pagoi. Nëse VLEN-i do të ishte marrë vesh me BDI-në për së paku një mandat, që BDI-ja t’ia ruante shpinën, pozita e shqiptarëve do të ishte më e favorshme. Partitë shqiptare më shumë komunikojnë me të tjerët se sa në mes vete”, tha Neziri.
