“Kutia e Pandorës u hap me marrjen e Kosovës nga Serbia”. Janë fjalët e presidentit serb Aleksandër Vuçiç i cili vijon të heqë paralele me rastin e Ukrainës duke akuzuar komunitetin ndërkombëtar për standarde të dyfishta.
Sipas tij Kosova ju mor Serbisë pa një vendim nga Këshilli i Sigurimit, ndërsa kur bëhet fjalë për Ukrainën diçka e tillë kundërshtohet.
“Pse morët 14 përqind të territorit të Serbisë, i cili ishte nën garancinë e Kartës së OKB-së dhe rezolutave të OKB-së? Dhe kjo ndodhi menjëherë pas agresionit kundër Republikës së Serbisë të kryer nga 19 vende të NATO-s, pa lejen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së….”
Kur intervistuesi Matthias Defner i Alex Springer, këmbënguli që agresori dhe viktima të mos ngatërroheshin, kur përmendej Ukraina, Vuçiç replikoi se Serbia nuk kishte kryer agresion ndaj asnjë vendi kur u bombardua.
“Ishte territor serb dhe, në përputhje me Kushtetutën tonë, është ende”.
Vuçiç theksoi se gjatë një takimi me udhëheqësit europianë disa muaj më parë kishte shprehur zhgënjimin me faktin se autoritetet në Kosovë nuk kishin përmbushur detyrimin për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013.
Ai kujtoi se BE-ja ishte nënshkruese e Marrëveshjes së Brukselit dhe pretendoi se Serbia i kishte përmbushur detyrimet e saj sipas asaj marrëveshjeje.
