Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), si udhëheqëse e grupit parlamentar të Frontit Evropian në Kuvend, edhe nga shtatori do të vazhdojë të bllokojë punën e shtëpisë ligjvënëse me vërejtje procedurale, derisa nga rendi i ditës të mos tëhiqet propozim-ligji për përfaqësim të drejtë. Këtë qëndrim të partisë sot e shpalosi Imran Zhupani, anëtar i kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
„Kemi vërejtje serioze për atë ligj. Ai nuk i posedon parimet bazë që duhet t’i përmbajë një ligj, për këtë arsye ne do të këmbëngulim dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi që ai ligj të mos kalojë“, deklaroi Imran Zhupani, anëtar i kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, transmeton Lideri.mk.
Mirëpo, tërheqja e propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë nuk është kushti i vetëm për zhbllokimin e Kuvendit nga ana e BDI-së. Zhupani, si kusht të dytë, përmendi edhe propozim-ligjin për arsimin e lartë, me ç’rast tha se vërejtjet e opozitës për propozim-ligjin aspak nuk janë marrë parasysh nga ana e pushtetit.
Integristët dhe Fronti Evropian janë të qëndrimit se ligji për përfaqësim të drejtë duhet të miratohet me të ashtuquajturin Badinter të madh, gjegjësisht me shumicën nga numri i përgjithshëm i deputetëve që janë pjesë e komuniteteve joshumicë, gjë që u refuzua nga partitë e pushtetit të cilat paralajmëruan se ligji do të miratohet me Badinter të vogël, gjegjësisht me shumicën e deputetëve nga komunitetet etnike që janë pranishëm në seancë në atë moment.
” “
Sa i përket asaj nëse BDI do të pajtohej të negocionte me shumicën në Kuvend për të siguruar shumicën e Badinterit, Zhupani nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por tha se që një qeveri të ketë legjitimitet është kyçe që ajo të sigurojë edhe shumicën sipas Badinterit, raporton Telma.
BDI i kundërvihet zgjidhjes së propozuar ligjore për përfaqësim të drejtë si të keqe, pasi në të nuk janë paraparë kuota etnike, gjë që sipas tyre mund të ulë përfaqësimin e shqiptarëve në administratën publike. Sipas integristëve, kontestuese është edhe se me propozim-ligjin nuk është paraparë që institucionet gjatë punësimit apo avancimit t’i identifikojnë qytetarët mbi bazë etnike, e as nuk janë paraparë sankcione për mosrespektim të dispozitave./Lideri
