Tre persona janë arrestuar në Shkup nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi dyshohet se i kanë vënë flakën një eskavatori në një deponi të grumbullimit të lëndëve të para sekondare në territorin e Çairit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, sot (2 korrik), në rrugën “Magjistralja e Adriatikut”, zyrtarët policorë të SPB Shkup kanë arrestuar J.J., A.A. dhe F.L.
Rasti ishte raportuar mbrëmjen e 1 korrikut, rreth orës 23:20, në Stacionin Policor të Çairit, ku ishte njoftuar se në deponi ishte përfshirë nga zjarri një eskavator.
Menjëherë pas denoncimit, policia ka lokalizuar tre të dyshuarit të cilët lëviznin me një veturë BMW me targa të Resnjës dhe i ka privuar nga liria.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Lajmi ditës
Tre persona arrestohen në Çair, dyshohen se i vunë flakën një eskavatori në një deponi të mbeturinave
