Lëvizja Vetëvendosje tha se i ka siguruar votat për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe se do të kërkojë konsensus me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit, proces që dështoi muaj më parë dhe e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, tha për Radion Evropa e Lirë ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit me 47.13 për qind të votave apo 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh.
Për zgjedhjen e Qeverisë kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash – pra LVV-ja do të mund ta formonte një ekzekutiv me përkrahjen e partive pakicë joserbe – të cilat e kanë mbështetur edhe ekzekutivin aktual.
