Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë kundër një të punësuari në Universitetin Ndërkombëtar të Tetovës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare si dhe falsifikim të dokumenteve.
Sipas njoftimit, i dyshuari me inicialet A.Z., i punësuar si bashkëpunëtor i lartë administrativ për logjistikë dhe punë në terren, në periudhën mars 2020 – shkurt 2023, dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas Policisë Financiare, në vend që paratë që studentët ia dorëzonin në dorë për pagesën e participimit, bashkëfinancimit dhe shpenzimeve të tjera të studimeve t’i depozitonte në llogarinë e universitetit përmes sistemit E-pay, ai dyshohet se i ka përvetësuar për vete.
Nga hetimet rezulton se me këtë veprim ai ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 3.362.272 denarë, ndërsa për të njëjtën shumë është dëmtuar buxheti i Universitetit të Tetovës.
Për të fshehur përvetësimin e mjeteve, i dyshuari dyshohet se ka përpiluar vërtetime të falsifikuara për pagesa të kryera përmes sistemit E-pay. Ai, sipas autoriteteve, ka përdorur të dhënat dhe kodin QR të një vërtetimi autentik, duke ndryshuar emrin e paguesit, shumën dhe datën e pagesës, e më pas ua ka dorëzuar këto dokumente studentëve.
Studentët, duke besuar se pagesat ishin kryer, i kanë ngarkuar këto vërtetime në sistemin elektronik dhe i kanë dorëzuar në shërbimin studentor si dëshmi për pagesën.
Lajmi ditës
Tre vite studentët paguanin, por paratë nuk mbërrinin në Universitetin e Tetovës, ngrihet kallëzim penal ndaj një të punësuari
