Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm të enjten, pasi tensionet mes SHBA-së dhe Iranit u përshkallëzuan sërish pas raportimeve për sulme ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit.
Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 3.51 dollarë, ose 3.72%, duke arritur në 97.80 dollarë për fuçi, ndërsa kontrata më aktive e gushtit u ngjit në 95.60 dollarë për fuçi. Po ashtu, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 3.31 dollarë, ose 3.73%, duke arritur në 91.99 dollarë për fuçi.
Rritja e fortë e çmimeve erdhi pasi Irani njoftoi se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane në përgjigje të një sulmi amerikan pranë aeroportit Bandar Abbas.
Sipas agjencisë iraniane Tasnim, Garda Revolucionare paralajmëroi se çdo “agresion” i ri nga SHBA do të përballet me një reagim edhe “më vendimtar”.
Nga ana tjetër, një zyrtar amerikan i tha Reuters se ushtria amerikane kreu sulme të reja ndaj objektivave iraniane, të cilat konsideroheshin kërcënim për forcat amerikane dhe trafikun tregtar detar në Ngushticën e Hormuzit.
