Lajmi ditës

SPAK zbardh komunikimet për projektin në Palasë: Në dosje del emri i Samir Manes, dyshime për negociata miliona euro për “Green Coast”

SPAK zbardh komunikimet për projektin në Palasë: Në dosje del emri i Samir Manes, dyshime për negociata miliona euro për “Green Coast”

Goditja e SPAK ndaj një grupi të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash ka nxjerrë në sipërfaqe një tjetër pistë hetimore: negociatat e dyshuara për një projekt ndërtimi në Palasë, ku në komunikimet e administruara përmendet edhe emri i biznesmenit Samir Mane.

Në qendër të dosjes hetimore janë Alfredo Hamzai dhe Luçiano Koçeku, i njohur edhe me aliasin Artur Koçeku, të cilët SPAK i konsideron si persona me rol të rëndësishëm në aktivitetet e dyshuara kriminale që lidhen me trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave dhe investimin e të ardhurave në Shqipëri, shkruan Albeu.com

Nga aktet hetimore rezulton se Hamzai dhe Koçeku kanë pasur një komunikim të vazhdueshëm mes tyre, jo vetëm për çështje që lidhen me trafikun e kokainës dhe aktivitetet jashtë vendit, por edhe për investime të dyshuara në sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Pikërisht në këtë pjesë të dosjes shfaqet projekti në Palasë, një zonë që vitet e fundit është kthyer në një nga hapësirat më të lakmuara për ndërtime turistike dhe rezidenciale në bregdet.

Sipas dosjes se SPAK të analizuar nga Albeu.com, në shtator të vitit 2020, Alfredo Hamzai dhe Adrian Rama kanë komunikuar në telefon për ndërtimin e një kompleksi vilash dhe apartamentesh në zonën e Palasës. Më pas, hetuesit kanë zbardhur edhe komunikime mes Hamzait dhe Luçiano Koçekut, ku flitet për të njëjtin projekt dhe për mundësinë e përfshirjes së tokës së Hamzait në një zhvillim më të madh rezidencial.

Në një komunikim të datës 30 janar 2021, Luçiano Koçeku i shkruan Hamzait se i kishte thënë “Lirit” të shkonte të takonte “Zamirin” për të diskutuar për ndërtimin dhe tokën. Sipas dosjes, “Liri” dyshohet se i referohet biznesmenit Ilir Shtufi, ndërsa “Zamiri” dyshohet se i referohet Samir Manes. Nga fotot e shkëmbyera në bisedë, hetuesit thonë se provohet se diskutimet lidhen me toka në zonën e Palasës.

Por pjesa më e fortë e dosjes lidhet me dyshimet për një marrëveshje financiare miliona euro. SPAK evidenton se në komunikimet mes personave nën hetim flitet për një shumë që varionte nga 2 deri në 3 milionë euro, e cila, sipas bisedave të administruara, do të jepej për të mundësuar përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në projektin rezidencial.

Ndaj / Сподели