Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, së bashku me përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik, Qendrës së Shëndetit Publik Shkup dhe Klinikës së Sëmundjeve Infektive, në konferencën e sotme për shtyp informuan për situatën epidemiologjike lidhur me ethet e Nilit Perëndimor në vend.
– Po e informojmë publikun në kohë dhe në mënyrë transparente për situatën me ethet e Nilit Perëndimor. Kjo nuk është një sëmundje e re; ajo ka qenë e pranishme edhe gjatë viteve të mëparshme, ndërsa këtë vit, për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, numrit të rasteve të konfirmuara dhe aktivitetit të virusit, u paraqit nevoja për një reagim më të fuqishëm institucional. Po e ndjekim situatën në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Qendrat e Shëndetit Publik, Komisionin për Sëmundje Infektive dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive, me qëllim që rastet të identifikohen dhe të trajtohen në kohë, si dhe të parandalohet shfaqja e rasteve të reja – theksoi Andovski.
Ai porositi se nuk ka vend për panik, por nevojiten kujdes dhe përgjegjësi, përkatësisht qytetarët duhet të ndërmarrin masa për mbrojtje personale, të veshin rroba të përshtatshme dhe të shmangin vendet ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.
Dr. Marija Goçevska nga Instituti i Shëndetit Publik informoi se, deri më 11 gusht, janë regjistruar gjithsej 26 raste, prej të cilave dy janë raste të mundshme. Nga këto, 25 persona janë nga Shkupi dhe një nga Velesi. Sa i përket grupmoshës, dr. Goçevska bëri të ditur se 22 persona janë mbi 60 vjeç.
