Fotografi ku shihet një shishe e zbrazët uiski “Jameson” mbi një tavolinë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, para drejtorit dr. Fadil Cana, kanë ngritur pyetje nëse lejohet futja dhe konsumimi i alkoolit në një institucion shëndetësor gjatë një feste të punonjësve. Bëhej fjalë për shënimin e mbrojtjes së suksesshme të disertacionit të doktoraturës nga një e punësuar, ndërsa fotografitë e publikuara në rrjetet sociale kanë mbërritur edhe në redaksinë e “Skopje1”.
I pyetur nëse në Klinikë lejohet futja dhe konsumimi i alkoolit, sa persona kanë qenë të pranishëm, nëse mes tyre kishte punonjës që ishin në ndërrim dhe si ishte konsumuar e gjithë shishja e uiskit, drejtori Fadil Cana nuk dha përgjigje të drejtpërdrejta.
Në përgjigjen e tij me shkrim, ai theksoi se bëhej fjalë për një urim të shkurtër me rastin e mbrojtjes së suksesshme të doktoraturës së një të punësuare dhe se prania e tij ishte shprehje e mbështetjes institucionale.
“Klinika nuk lejon veprime që do të cenonin rendin e punës, standardet profesionale ose sigurinë e pacientëve. Sipas informacioneve që kam, procesi i punës dhe kujdesi shëndetësor nuk janë penguar në asnjë moment dhe nuk ka të dhëna për shkelje të rregullave të brendshme. Fotografi të veçuara nuk mund të jenë bazë për nxjerrjen e përfundimeve për të gjithë ngjarjen”, deklaroi Cana.
Edhe pas insistimit për t’iu përgjigjur konkretisht pyetjeve, ai mbeti në të njëjtin qëndrim.
“Nuk mund të konfirmoj apo mohoj supozime të bazuara në fotografi të veçuara dhe as të spekuloj për numrin e të pranishmëve, se kush ka konsumuar apo në çfarë sasie. Fakt është se procesi i punës dhe kujdesi për pacientët nuk janë cenuar në asnjë moment”, shtoi ai.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njoftoi se të hënën do të zhvillojë një takim me drejtorin e Klinikës.
“Do ta thërras drejtorin të hënën për të parë se çfarë ka ndodhur. Secili duhet të mbajë përgjegjësi për lëshimet në institucionet shtetërore”, deklaroi Aliu, duke shtuar se opinioni do të njoftohet për hapat e mëtejshëm të mundshëm.
Lajmi ditës
Shishe uiski në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, ku drejtor është Fadil Cana – ja çfarë thotë ministri
