Pas një viti në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, pritet që me rindërtimin e paralajmëruar prej kohësh të Qeverisë, Azir Aliu të shkarkohet nga posti i ministrit të Shëndetësisë, përcjellë Tema.mk.
Negociatat zyrtare për përbërjen e re të kabinetit qeveritar janë drejt përfundimit, ndërsa po vendoset se kush do të mbetet pjesë e Qeverisë së Hristijan Mickoskit dhe kush do të zëvendësohet në kuadër të rikonstruimit, bazuar në vlerësimin e punës së deritanishme.
Pritet që VMRO-DPMNE ta marrë drejtimin e sektorit të Shëndetësisë në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë. Si kandidatë të mundshëm për postin e ministrit përmenden drejtori aktual i Spitalit të Qytetit “8 Shtatori”, Sinisha Stojanovski, drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, si dhe drejtori i Qendrës Emergjente, Igor Merxhanovski.
Lidhur me këto spekulime, revista “Fokus” ka kërkuar koment nga Klekovski, i cili deklaroi se ka dëgjuar zërat, por theksoi se vendimin e marrin institucionet kompetente.
“Nuk mund as ta konfirmoj dhe as ta mohoj”, u shpreh Klekovski.
Mediat në Maqedoninë e Veriut prej disa javësh raportojnë për negociatat mes partnerëve të koalicionit qeverisës dhe për emrat që pritet të bëhen pjesë e kabinetit të ri qeveritar.
