Ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare mes partnerëve të koalicionit qeveritar lidhur me rindërtimin e Qeverisë, proces që është intensifikuar gjatë këtyre ditëve. Pas bisedimeve intensive të zhvilluara mbrëmë në selinë e ZNAM-it, VMRO-DPMNE dhe ZNAM nuk kanë arritur ende një dakordim final.
Për fundjavën është paralajmëruar një raund i ri negociatash, pas të cilit pritet që në fillim të javës së ardhshme të përmbyllet procesi dhe propozimi formal të dorëzohet në Kuvend nga kryeministri Hristijan Mickoski. Para kësaj, ndryshimet pritet të shqyrtohen edhe në organet partiake të partnerëve të koalicionit.
“Bisedimet vazhdojnë dhe është ende herët të flitet për ndarjen përfundimtare të resorëve, pasi gjërat ndryshojnë nga dita në ditë”, ka deklaruar për mediat një burim i afërt me negociatat.
Sipas informacioneve jozyrtare, VMRO-DPMNE pritet të marrë me siguri Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës Sociale dhe Demografisë, si dhe resorin për Integrime Evropiane. Në këmbim, koalicioni VLEN do të merrte Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Sportit dhe resorin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
Megjithatë, sipas burimeve, ende nuk është vendosur përfundimisht nëse Ministria e Drejtësisë do t’i takojë VLEN-it apo do të mbetet nën drejtimin e partisë më të madhe në pushtet, VMRO-DPMNE-së. Negociatat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Në këtë konfigurim të marrëdhënieve mes partnerëve të koalicionit, sipas informacioneve jozyrtare, kryeministri Hristijan Mickoski i ka ofruar liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, që në vend të Ministrisë së Drejtësisë të propozojë kuadër për Ministrinë e Bujqësisë. Sipas burimeve, ministri aktual i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, pritet të largohet për arsye private.
Nga ZNAM, ndërkohë, është kërkuar një vlerësim i punës së të gjithë ministrave dhe jo vetëm i disa emrave që prej kohësh përfliten për shkarkim. Një prej tyre është ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, për të cilin partia e tij vlerëson se po zhvillohet një fushatë negative dhe se rezultatet e tij në drejtimin e resorit janë më të mira sesa paraqiten në opinion.
Përveç këtyre ndryshimeve, posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, i mbetur vakant pas dorëheqjes së Arben Fetai, pritet t’i kalojë VMRO-DPMNE-së. Kjo parti do të vazhdojë të mbajë edhe postin e zëvendëskryeministrit për Sistem Politik, që aktualisht drejtohet nga Lupço Dimovski.
Ndërkohë, ministri pa resor Shaban Saliu pritet të zëvendësohet, pasi është përfshirë në procedurat gjyqësore lidhur me zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan.
Sipas informacioneve të deritanishme, përveç Fatmir Limani, Arben Fetait dhe me shumë gjasë Igor Filkovit, nga Qeveria pritet të largohen edhe Borko Ristovski, Zoran Ljutkov dhe pothuajse me siguri Azir Aliu.
Nga ana tjetër, Bekim Sali pritet të transferohet në një resor tjetër, duke lënë postin e ministrit për Integrime Evropiane. Ende mbetet e paqartë nëse Ivan Stoilkoviq do të marrë një ofertë të re qeveritare pas largimit të mundshëm nga Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, apo bashkëpunimi i tij me qeverinë do të përfundojë.
Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që në qeverinë e rindërtuar të Mickoskit të përfshihet edhe Partia Demokratike e Turqve.
