Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka publikuar rezultatet e analizave të kryera mbi mostrat e ujit, të cilat, sipas saj, tregojnë ndotje të lartë bakteriologjike dhe tejkalim të nivelit të lejuar të klorit në një nga mostrat e marra nga rrjeti i ujësjellësit.
Sipas njoftimit, me urdhër të prokurorit publik, Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar mostrat e marra nga uji sipërfaqësor i kanalit të hapur dhe ka konstatuar se ai është shumë i ndotur dhe i papërdorshëm për çfarëdo qëllimi. Analizat kanë treguar prani të baktereve koliforme në nivel prej 2.419,6 cfu/100 ml, ndërsa vlera maksimale e lejuar është 50 cfu/100 ml.
Në mostrat e marra nga burimi i kaptuar është konstatuar numër i rritur i kolonive të baktereve aerobike mezofile, si dhe prani e baktereve koliforme. Sipas standardeve, këto baktere duhet të jenë 0 cfu/100 ml, ndërsa analizat kanë regjistruar 39 cfu/100 ml. Prokuroria vlerëson se për shkak të kësaj ndotjeje, uji është bërë i papërdorshëm dhe i pasigurt për përdorim dhe konsum.
Gjithashtu, është analizuar edhe një mostër uji e marrë nga një çezmë në rrugën JNA në Gostivar. Sipas rezultateve, në këtë mostër është konstatuar përqendrim i klorit rezidual prej 1,1 mg/l, që tejkalon vlerën maksimale të lejuar sipas rregullores në fuqi, e cila parashikon një interval prej 0,2 deri në 0,3 mg/l, ndërsa kufiri maksimal është 0,5 mg/l.
Duke pasur parasysh se pasojat e ndotjes nuk mund të eliminohen lehtësisht, Prokuroria ka vlerësuar se ekzistojnë dyshime të bazuara se është kryer vepër penale.
Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit njofton se hetimet për rastin po vazhdojnë. Të dyshuarit janë privuar nga liria, ndërsa gjatë ditës së nesërme prokurori publik do të vendosë nëse dhe cilat masa sigurie do t’i propozojë gjykatës ndaj tyre.
