Pacientët me kancer në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë në Shkup po përballen me pritje të gjata, për shumë orë për të marrë terapinë. Rritja e numrit të pacientëve, përqendrimi i shërbimeve vetëm në Shkup dhe mungesa e decentralizimit kanë krijuar mbingarkesë të vazhdueshme, duke rënduar edhe më shumë gjendjen e personave që luftojnë me sëmundje të rënda. Tani për tani nuk ka zgjidhje konkrete, shkruan Portalb.mk.
Pritje deri në “12 orë” për terapi
Kaos, radhë të gjata dhe pritje të lodhshme me orë të tëra. Ky është realiteti i përditshëm në Klinikën e Radiologjisë dhe Onkologjisë në Shkup.
Që nga orët e para të mëngjesit, korridoret mbushen me pacientë që presin të marrin terapinë e tyre, ndërsa shumë prej tyre detyrohen të kalojnë pothuajse tërë ditën në pritje.
Pacientë nga mbarë vendi udhëtojnë drejt kryeqytetit me shpresën se do të shërbehen më shpejt, por shpesh përfundojnë duke pritur me orë të tëra.
Një paciente të cilën e takuam në duke pritur jashtë Klinikës së Onkologjisë, për Portalb.mk, tha se ka raste që pret deri në 12 orë, për të marrë terapinë.
Ajo tha se kishte shkuar që në orën 6 për të vendosur librezën të parët në sportel, që të vijnë në rend të parë dhe të marrin numrin e pritjes.
“Ne jemi pacientë, nuk e di si do ta kuptojnë mjekët dhe opinioni këtë gjendje, por gjendja është tepër e vështirë për ne. Sa u përket mjekëve, secili, ka metodën e vet të kurimit. I kuptojmë mjekët, sepse ngarkesa e madhe e tyre e bën të vetën, por problemi kryesor nuk janë mjekët por është sistemi dhe mosorganizimi i duhur”, tha ajo.
Sipas revizorëve, decentralizimi i shërbimeve do të mund të ulte pritjet, veçanërisht për pacientët jashtë Shkupit, dhe do të zvogëlonte presionin mbi Klinikën e Onkologjisë.
Mbi pesë mijë pacientë të rinj vetëm vitin e kaluar
Drejtori i Klinikës Universitare të Radiologjisë dhe Onkologjisë, Igor Stojkovski, për Portalb.mk, tha se vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar rreth 5.500 pacientë të rinj onkologjikë që marrin terapi.
“Në kuadër të Klinikës realizohen çdo vit rreth 38.000 deri në 39.000 aplikime të terapisë sistemike onkologjike, në baza ditore, duke përfshirë kimioterapinë, terapinë e synuar, imunoterapinë dhe terapinë mbështetëse, si dhe barna të tjera mbështetëse si bisfosfonatet. Klinika realizon gjithashtu një numër të konsiderueshëm procedurash të radioterapisë”, tha Stojkovski.
Ai mes tjerash theksoi se çdo ditë pune kryhen rreth 10 deri në 15 CT simulime për planifikim radioterapie, përkatësisht rreth 3.000 në vit, ndërsa se në fushën e radioterapisë, në tre përshpejtues linearë realizohen rreth 180 fraksione radioterapie në ditë, që përbëjnë rreth 45.000 fraksione në vit.
Përmes sistemit ‘afterloader’ për brahiterapi me dozë të lartë (HDR) realizohen mesatarisht rreth 3 procedura në ditë pune, ose rreth 750 në vit”, tha Stojkovski.
