Kryeministri i RMV-s, Hristijan Mickoski thotë se ndryshimet kushtetuese nuk do të ndodhin në formën në të cilën kërkohen aktualisht.
“Të bisedojmë. Unë jam i gatshëm të bisedoj me këdo dhe kudo. Unë nuk jam sekondat që t’ju them deri kur do të zgjasin. Ato do të vazhdojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të gjetur një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme dhe që do të na çojë drejt qëllimit përfundimtar. Ndërkohë, do të vazhdojmë të zbatojmë Agjendën Reformuese, do të ndërtojmë shoqëri më të mirë dhe kushte më të mira jetese“, theksoi Mickoski në podkastin “Rishtazi” në “Koha”. Ai gjithashtu shtoi se gjatë gjithë këtij procesi çështjet duhet të trajtohen mbi baza parimore dhe se parimet duhet të vlejnë për të gjithë, sepse me to nuk luhet.
“Çështjet duhet të shihen në mënyrë parimore. Me parimet nuk luhet. Ju thatë se kjo është ajo që ka rënë dakord Qeveria maqedonase me Brukselin, por ja unë nuk do të ndërhyj në atë se cila qeveri e ka arritur atë marrëveshje, as cili ka qenë qëndrimi ynë në atë kohë dhe si është arritur ajo marrëveshje. Nuk do të ndalem te kjo, sepse opinioni e di dhe e ka dëgjuar. Ne jemi të vetëdijshëm se çfarë ka marrë përsipër ajo qeveri e mëparshme. Por, po ashtu, edhe një qeveri e mëparshme në Bullgari ka marrë përsipër diçka që quhet respektimi i të drejtave të njeriut.
Tani nga ne kërkohet, sipas parimit, ne jemi brenda, ju jeni jashtë dhe doni të hyni brenda, të pranojmë atë që është marrë vesh, ndërsa nga ana tjetër të mos respektohet ajo që ka pranuar një qeveri bullgare, në këtë rast respektimi i të drejtave të njeriut, është e qartë se ekzistojnë një sërë vendimesh të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg që kanë të bëjnë me komunitetin maqedonas në Bullgari, të cilat kërkojnë respektimin e të drejtave, lejimin e regjistrimit të klubeve dhe organizatave etj. këto të mos respektohen, ndërsa ne ti respektojmë.
Kjo quhet bullying dhe nuk ka asnjë lidhje me kriteret e Kopenhagës apo me vlerat e Bashkimit Evropian të përcaktuara nga Schuman, De Gasperi dhe Adenauer. Kjo është logjika, ne jemi brenda, ju jeni jashtë dhe nëse doni të hyni, duhet ta pranoni këtë, përndryshe, nuk do të hyni. Kjo është bullying dhe një politikë joparimore. Është politikë me standarde të dyfishta. Më falni, por unë nuk jam përkrahës i një politike të tillë“, theksoi Mickoski. Ai shtoi se ajo që vlen për mua do të vlejë edhe për ju dhe anasjelltas, ajo që vlen për ju do të vlejë edhe për mua.
“Kjo nuk është një tryezë e hapur dhe të themi kjo më konvenon, kjo nuk më konvenon, këtë do e marrë, atë do e lëmë. Jo, këtu bëhet fjalë për parime. Aq sa respektoni parimet, aq peshoni si njeri. Nëse bëni kompromis me parimet vetëm kur ju leverdis, atëherë humbni peshën tuaj specifike si njeri“.
Mickoski theksoi se qëllimi i kësaj qeverie është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e jo arritja e një zgjidhjeje të përkohshme, e cila do të përfundonte njësoj si të gjitha lëshimet e mëparshme, për të cilat premtohej se do të na çonin drejt anëtarësimit në BE, por që, për fat të keq, sot ndodhemi në të njëjtën pikë ku ishim edhe para ndryshimit të emrit kushtetues.
„Pikërisht ky është qëllimi i kësaj qeverie, të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, e jo vetëm ta nisë procesin drejt anëtarësimit. Kur të dimë dhe kur të kemi mbi tryezë një zgjidhje që do të na çojë drejt anëtarësimit në BE, atëherë jemi të gatshëm të bisedojmë. Ne nuk jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje të përkohshme e të menjëhershme, të cilat vetëm do ta nisin këtë proces, sepse ne e kemi merituar ta fillojmë atë që para 25 vitesh. Dhe ne e kemi merituar këtë proces ta fillojmë shumë kohë më parë Unë jam dëshmitar kur na thuhej mjafton ta ndryshoni emrin dhe menjëherë do të bëheni pjesë e NATO-s, do t’i filloni negociatat dhe meqenëse jeni më të mirët në grup, brenda 4-5 vitesh do të bëheni anëtare e BE-së. Ato 4-5 vite përfunduan para tre vitesh, ndërsa ne ende ndodhemi në të njëjtën pikë ku ishim para ndryshimit të emrit kushtetues. E të mos flas se kemi ndryshuar edhe flamurin, kemi ndryshuar kartëmonedhat dhe kemi ndryshuar Kushtetutën disa herë.
