Zyra Evropiane për Luftën Kundër Mashtrimeve (OLAF) ka zbuluar një rrjet kontrabande të prezervativëve të falsifikuar që shpërndaheshin në Evropë, ku janë sekuestruar më shumë se 200.000 copë me origjinë nga Kina.
Sipas autoriteteve, prezervativët ishin deklaruar në mënyrë të rreme si lodra dhe u sekuestruan në Rumani, Serbi dhe Spanjë. Vlera e mallit të konfiskuar tejkalon 200.000 euro.
OLAF paralajmëroi se produktet nuk përmbushnin standardet shëndetësore dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, pasi nuk ishin testuar për sigurinë mikrobiologjike, rezistencën ndaj grisjes, biokompatibilitetin, afatin e përdorimit dhe kritere të tjera të detyrueshme.
“Prezervativët e falsifikuar janë të rrezikshëm. Ata nuk janë testuar, nuk janë kontrolluar dhe nuk janë të sigurt”, deklaroi drejtori i OLAF-it, Peter Clement.
Sipas hetimit, produktet e falsifikuara shiteshin me emrin dhe logon e një marke të njohur, por OLAF nuk ka bërë të ditur se për cilën markë bëhet fjalë dhe as sa prej tyre kanë arritur te konsumatorët.
Në bashkëpunim me autoritetet kineze, OLAF ka identifikuar eksportuesin që qëndron pas dërgesave të dyshimta, por identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Autoritetet theksojnë se përdorimi i këtyre prezervativëve të falsifikuar mund të rrisë rrezikun e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, shtatzënisë së padëshiruar dhe ekspozimit ndaj materialeve apo substancave kimike të pasigurta.
