Ashtu si vjet, edhe këtë vit në fshatin Veshallë të Malësisë së Tetovës asnjë nxënës nuk është regjistruar në klasën e parë, andaj shkolla do të mbetet e mbyllur. Numri i nxënësve përveç se në Malësinë e Tetovës po bie edhe në nivel shtetëror ku është paralajmëruar mbyllja e dhjetëra shkollave, shkruan Portalb.mk.
Për dallim prej Veshallës, në fshatin Bozofcë janë regjistruar vetëm dy nxënës në klasë të parë, ndërsa numri i përgjithshëm in nxënësve në të gjitha paralelet është gjashtë.
Drejtori i shkollës fillore “Besa”, Shefajet Ramadani thotë se këto paralele periferike do vazhdojnë të funksionojnë me vendim të veçantë si shkolla të mbrojtura.
“Shkollat janë në suazat të mbrojtjes për shkak se gjenden në distancë të largët, janë fshatra malore dhe janë të mbrojtura, kështu që do të funksionojnë, për momentin do të funksionojnë si klasa“, tha Ramadani.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës, Nazmi Dauti bëri të ditur se numri i përgjithshëm i nxënësve të regjistruar në klasë të parë mbetet përafërsisht i ngjashëm me vitin e kaluar.
“Ka qenë trend vit pas viti ku kemi pasur ulje të numrit të nxënësve, duke theksuar që nga viti 2020/21 e këndej, për fat të mirë këtë vit, në krahasim me vitin shkollor 2025/2026, nuk kemi ndonjë ndryshim drastik të numrave, për afërsisht janë numrat e njëjtë të nxënësve në shkollat fillore“, tha Dauti
