Lajmi ditës

Kallëzim penal ndaj një polici për marrje ryshfeti

Kallëzim penal ndaj një polici për marrje ryshfeti

Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, kundër D.S., për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit, i denoncuari, në cilësinë e policit në Stacionin Policor të Kalimit Kufitar Qafë Thanë, kishte nisur komunikim me një person përmes një rrjeti social, ku kishte kërkuar drejtpërdrejt para në këmbim të kryerjes së një veprimi zyrtar që nuk lejohej ta kryente.
Ai kishte rënë dakord që më 5 prill 2026, gjatë kryerjes së detyrës në pikën kufitare, të lejonte daljen nga shteti të një personi dhe automjetit që ai drejtonte, edhe pse automjeti nuk ishte në pronësi të tij, nuk posedonte autorizim dhe automjeti figuron i vjedhur në “listën e ndalimit” në sistemin e kontrollit të udhëtarëve dhe automjeteve.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë gjithashtu propozim për fillimin e procedurës disiplinore ndaj D.S. për shkelje të rendit dhe disiplinës në punë, si dhe do të shqiptojë masën e detyrueshme të largimit nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.

Ndaj / Сподели