Lajmi ditës

Fruthi po shpërndahet tek fëmijët, regjistrohen 10 raste – mjekët: Mos bini pre e dezinformatave, vaksinoni fëmijët

Fruthi po shpërndahet tek fëmijët, regjistrohen 10 raste – mjekët: Mos bini pre e dezinformatave, vaksinoni fëmijët

Nga 16 prill deri më 8 maj, në Kosovë janë konfirmuar dhjetë raste të fruthit në Kosovë. Që nga përhapja e sëmundjes ngjitëse, është shtuar dukshëm interesimi i prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre me vaksinën kundër fruthit.

Vetëm nga prilli në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë vaksinuar mbi 200 fëmijë.

Në Klinikën Infektive të QKUK-së momentalisht po trajtohen katër pacientë.

Sipas drejtoreshës së kësaj klinike, Vera Berisha, gjendja shëndetësore e tyre ka qenë relativisht e rëndë, ndërsa që njëri prej tyre kishte komplikime të rënda në mushkëri. Pacientët e tjerë janë përcjellë edhe nga oftamologu. Berisha bëri të ditur se pacientët që po trajtohen janë të moshës njëvjeçare. Ajo, për Kosovapress, u bën thirrje prindërve që të mos hezitojnë t’i vaksinojnë të vegjëlit e tyre, pasi sipas saj rreziku i sëmundjes është i madh.

“Tash për tash në Klinikën Infektive janë katër pacientë, të cilët duhet të përcillen së paku edhe gjatë këtij uikendi. Njëri prej tyre vazhdon të trajtohet pasi që është kthyer nga mjekimi intensiv i Klinikës së Pediatrisë, për shkak të një përkeqësimi, të një komplikimi mjaft të rëndë, por tash është në gjendje stabile. Shumicën i kemi pasur të lindur në vitin 2025. Gjendja shëndetësore e të gjithëve ka qenë relativisht e rëndë, ndërkohë që një prej tyre, ka fituar edhe komplikime të rënda në mushkëri si pneumotoraks. Gjendja e të tjerëve është përcjellë edhe prej lëmive të tjera: oftalmologu duke menaxhuar edhe pjesën e syve. 3:10 Ka prej tyre që hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre duke rënë pre e dezinformatave të ndryshme.. Apeli ynë është që prindërit mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët. Vaksina nuk është e dëmshme, por rreziku prej sëmundjes është i madh”, tha Berisha.

Xhevrije Canolli nga njësia e imunizimit në QKMF në Prishtinë pohon se të gjitha rastet e konfirmuara janë fëmijë të pavaksinuar.

Ajo bëri të ditur se janë identifikuar të gjithë fëmijët e pavaksinuar në rrethinën e Prishtinës dhe janë kontaktuar prindërit që t’i vaksinojnë me vaksinën kundër fruthit. Edhe nga ekipi mobil po vazhdon vaksinimi në shkolla.

Ajo tha se ka rritje të interesimit të prindërve për vaksinim, ku vetëm gjatë prillit pas përhapjes janë vaksinuar mbi 200 fëmijë, ndërkohë në periudhën janar-prill janë vaksinuar mbi 680 fëmijë nga mosha një deri pesë vjeçare.

Ndaj / Сподели