“Inshallah” u kthye në “Alhamdulillah”, momenti i veçantë në fjalimin e senatorit të ri amerikan
Një moment i veçantë ka tërhequr vëmendjen gjatë fjalimit të fitores së demokratit Abdul El-Sayed në Michigan, pas zgjedhjeve për Senatin amerikan. Politikani zgjodhi të përdorë dy shprehje të njohura në traditën islame, duke i dhënë fjalimit një domethënie personale dhe simbolike.
“Ju mund ta keni vënë re se deri më tani kam thënë gjithmonë ‘Inshallah’, ose ‘nëse do Zoti’, sa herë që flitej për rezultatin e kësaj gare. Por sonte mund ta kthejmë atë ‘Inshallah’ në ‘Alhamdulillah’”, u shpreh El-Sayed përpara mbështetësve të tij në Detroit.
Më pas, ai e shpjegoi edhe kuptimin e shprehjes së dytë, duke iu drejtuar me ironi kundërshtarëve të tij politikë: “Kjo do të thotë ‘Falënderimi i takon Zotit’”.
Dy shprehjet në arabisht, të përdorura shpesh nga besimtarët myslimanë, shënuan një kalim simbolik nga pritja me shpresë e rezultatit te falënderimi pas fitores.
Në vazhdim të fjalimit, El-Sayed iu drejtua edhe familjeve që, sipas tij, u është dashur t’u shpjegojnë fëmijëve pse presidenti Donald Trump tallej publikisht me emrin e tij apo mënyrën se si ai lutet.
“Thuajuni se sonte humbën të këqijtë”, deklaroi ai, duke marrë duartrokitjet e të pranishmëve.
El-Sayed e mbylli fjalimin me një mesazh për mbështetësit e tij, duke theksuar se fitorja ishte rezultat i përpjekjeve të përbashkëta: “Michigan, ia dolëm. Bëmë atë që na thanë se nuk mund ta bënim. Fituam. Së bashku. Tani fillon puna e vërtetë”.
