Një organizatë nga Maqedonia e Veriut figuron në mesin e 35 shoqatave dhe institucioneve që Gjykata Penale në Kajro të Egjiptit i ka shpallur organizata terroriste.
Vendimi, i publikuar në Fletoren Zyrtare të Egjiptit, përfshin gjithashtu 36 persona nga disa vende evropiane. Përfshirja e tyre në regjistrat kombëtarë do të jetë e vlefshme për një periudhë pesëvjeçare.
Organizata nga Maqedonia në dokument është regjistruar me emrin arab „Tadžamu al-Shabab al-Islami“, që në përkthim do të thotë „Shoqata Rinore Islame“, raportoi 4news.mk.
Deri më tani nuk dihet se për cilën organizatë bëhet fjalë konkretisht. Emri ngjall asociacione me „Forumin Rinor Islamik – Shkup“, të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka konfirmim se bëhet fjalë për të njëjtin subjekt, raportoi portali „Religija“.
Përveç organizatës nga Maqedonia e Veriut, në listë janë përfshirë edhe shoqata dhe institucione islame nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Suedia, Italia dhe vende të tjera evropiane.
Ndër to janë Këshilli i Myslimanëve të Evropës, Asociacioni Islamik në Britaninë e Madhe, Liga e Myslimanëve në Zvicër, Bashkësia Islame në Gjermani, Këshilli Evropian për Fetva dhe Hulumtime, Këshilli Evropian i Imamëve dhe Instituti Evropian për Shkenca Humane.
Në informacionet e publikuara nuk jepen shpjegime shtesë për arsyet e përfshirjes së organizatës nga Maqedonia në këtë listë. Gjithashtu, nuk paraqiten prova konkrete për ndonjë lidhje të pretenduar të saj me aktivitete terroriste.
