Qeveria miratoi dhe prezantoi Planin Operativ për Punësim për vitin 2026, i cili parasheh një sërë masash të fokusuara në uljen e papunësisë, rritjen e punësimit dhe nxitjen e aktivitetit ekonomik në vend.
Plani u prezantua nga ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, dhe drejtori i Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Adnan Ejupi, të cilët theksuan se fokusi kryesor është krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i kushteve në tregun e punës.
Për zbatimin e masave janë siguruar mbi 40 milionë euro, ndërsa pritet që mbështetje të përfitojnë më shumë se 10.000 persona. Vëmendje e veçantë i është kushtuar të rinjve, të papunëve afatgjatë, personave me aftësi të kufizuara, përfituesve të ndihmës sociale dhe grave.
Një nga masat kryesore të planit është vetëpunësimi, përmes së cilës të rinjtë do të mund të aplikojnë për grante deri në 615.000 denarë për hapjen e biznesit të tyre. Gjithashtu, parashihet mbështetje për mërgimtarët që kthehen nga jashtë dhe dëshirojnë të investojnë në vend, si dhe për kompanitë që hapin vende të reja pune.
Plani Operativ përfshin edhe masa për praktikë profesionale, trajnime dhe profesione deficitare, me qëllim lehtësimin e integrimit të të papunëve në tregun e punës dhe rritjen e aftësive të tyre profesionale.
Lajmi ditës
Deri në 615.000 denarë për të rinjtë për hapjen e biznesit të tyre, ja se si mund t’i merrni
