Kanë vërshuar reagimet në rrjetet sociale nga funksionarë të BDI-së pas lajmit se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut shfuqizoi emërtimet “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara” dhe riktheu emrat e vjetër si “Marshall Tito” dhe emërtime të tjera të periudhës komuniste në Tetovë.
Megjithatë, dokumentet tregojnë një realitet tjetër.
Një dokument i siguruar nga portali Zyrtare hedh dritë mbi mënyrën se si janë përdorur emërtimet e rrugëve në dokumentacionin zyrtar gjatë periudhës kur BDI ishte pjesë e pushtetit.
Bëhet fjalë për një pasaportë të vjetër të një qytetari nga Tetova, në të cilën adresa e banimit nuk figuron me emrin shqip të rrugës, por me emërtimin e vjetër “JNA”.
Në dokument, rruga që sot njihet si “Dervish Cara” është e regjistruar si “JNA”, çka dëshmon se emërtimet shqipe nuk kanë qenë të reflektuara plotësisht në dokumentet zyrtare, pavarësisht pretendimeve që sot artikulohen nga BDI se gjatë qeverisjes së saj këto emërtime janë institucionalizuar në tërësi.
Pasaporta e siguruar nga redaksia tregon se, të paktën në këtë rast, emri historik shqiptar “Dervish Cara” nuk është përdorur në adresën zyrtare të qytetarit, ndërsa ka vazhduar të figurojë emërtimi i vjetër “JNA”.
Ky dokument ngre pikëpyetje mbi zbatimin real të vendimeve për riemërtimin e rrugëve në Tetovë dhe nëse ato kanë mbetur vetëm në nivel formal, pa u reflektuar plotësisht në evidencat dhe dokumentet zyrtare të institucioneve shtetërore.
