Falë reagimit të shpejtë të policisë së Tetovës, është arrestuar një 22-vjeçar nga Tetova i cili, nën ndikimin e alkoolit dhe i armatosur me një pistoletë me gaz, ka tentuar të kryejë grabitje në një objekt hotelierik.
Ngjarja ka ndodhur më 3 qershor 2026, rreth orës 15:30, kur H.D. (22) ka hyrë në lokalin ku punonte A.I. (38) nga Tetova dhe, duke e kërcënuar me armë, ka kërkuar t’i dorëzoheshin paratë nga arka.
Sipas kallëzimit, pasi punonjësi refuzoi kërkesën dhe i kërkoi të largohej, mes tyre shpërtheu një përleshje fizike. Gjatë incidentit, H.D. e goditi A.I.-në në kokë me kondakun e armës.
Pas ngjarjes, autori u largua nga vendi, por policia e gjeti dhe e arrestoi shpejt në rrugën “Ilindenska” në Tetovë. Gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua një pistoletë me gaz, ndërsa testi i alkoolit tregoi se ai kishte 1.35 promilë alkool në gjak.
I dyshuari është ndaluar në stacion policor dhe, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzimi përkatës.
Lajmi ditës
Arrestohet 22-vjeçari nga Tetova, tentoi grabitje me armë në një lokal nën ndikimin e alkoolit
