Kuvendi të martën konstatoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, duke i dhënë fund zyrtarisht mandatit të tij në Qeveri pas disa muajsh mungese nga jeta publike dhe mbledhjet qeveritare, shkruan Tema.mk
Fetai dorëheqjen e paraqiti më 1 qershor, duke deklaruar se po largohet nga funksioni “me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër”. Largimi i tij vjen pas një periudhe pasigurie politike, gjatë së cilës ai nuk mori pjesë në mbledhjet e Qeverisë. Kryeministri Hristijan Mickoski kishte deklaruar më herët se Fetai po shqyrtonte mundësinë e rikthimit në Belgjikë.
Megjithatë, pas largimit të tij mbeten pyetje lidhur me rezultatet e resorit që drejtoi, shpenzimin e mjeteve publike dhe të ardhmen e tij politike.
Sipas të dhënave që portali Inbox7 i siguroi nga Qeveria përmes Ligjit për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik, Fetai në periudhën nga gushti 2024 deri në tetor 2025 ka shpenzuar 797.942 denarë nga buxheti për udhëtime zyrtare, akomodim dhe shërbime reprezentacioni. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve, 416.172 denarë ose 52,2 për qind, janë shpenzuar për shërbime ugostitelie dhe reprezentacion brenda vendit.
Të dhënat tregojnë se në dhjetor 2024 janë evidentuar dy llogari prej 49.696 dhe 60.107 denarësh, ndërsa në janar 2025 është regjistruar një shpenzim prej 116.878 denarësh për reprezentacion, që paraqet edhe zërin më të lartë individual në të gjithë evidencën.
Vetëm këto tri llogari arrijnë vlerën prej 226.681 denarësh, ose më shumë se një e katërta e të gjitha shpenzimeve zyrtare të Fetait në periudhën e analizuar.
Analiza tregon se 628.922 denarë, ose gati 79 për qind e të gjitha shpenzimeve, janë realizuar në vetëm katër muaj, nga nëntori 2024 deri në shkurt 2025.
Për udhëtime zyrtare jashtë vendit janë shpenzuar 381.770 denarë, prej të cilave 127.100 denarë për bileta avioni, 168.332 denarë për akomodim hotelier dhe 86.338 denarë për mëditje.
Ndërkohë, sipas fletës anketuese të dorëzuar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Arben Fetai ka deklaruar pasuri në Maqedoninë e Veriut, Belgjikë dhe Kosovë me vlerë që tejkalon 2 milionë euro.
Pjesa më e madhe e pasurisë ndodhet në Belgjikë, ku ai posedon një shtëpi, një ndërtesë banimi dhe pjesëmarrje në një tjetër objekt banimi, me vlerë të përgjithshme prej rreth 1,3 milion euro.
Në Maqedoninë e Veriut ai ka deklaruar banesë në Karposh të Shkupit, shtëpi në Opajë, tokë ndërtimore dhe disa parcela bujqësore, ndërsa në Kosovë zotëron gjysmën e një banese me vlerë rreth 126 mijë euro.
Përveç pagës qeveritare prej 115.540 denarësh në muaj, Fetai ka deklaruar edhe të ardhura vjetore prej rreth 2,76 milionë denarësh nga dhënia me qira e pronave të tij në Belgjikë.
Ai ka raportuar gjithashtu pesë automjete motorike, përfshirë Audi Q7, Range Rover Sport dhe Mercedes C-Class, si dhe një kredi hipotekare në Belgjikë në vlerë prej 334.601 eurosh, e cila duhet të shlyhet deri në vitin 2029.
