Lajmi ditës

A po përdoret “komploti ndaj Trumpit” si justifikim për të prishur armëpushimin?

A po përdoret “komploti ndaj Trumpit” si justifikim për të prishur armëpushimin?
Te Sheshi

Negociata nën hijen e krizave nervore të Donald Trump!

Pretendimi i autoriteteve izraelite se Irani ka përgatitur një plan për të vrarë presidentin amerikan Donald Trump ka rikthyer në qendër të debatit jo vetëm rivalitetin mes Teheranit dhe Tel Avivit, por edhe pyetjen nëse ky informacion po përdoret si instrument politik për të ndikuar mbi diplomacinë dhe për të ndryshuar ekuilibrat e negociatave.

Historikisht, marrëdhëniet mes Izraelit dhe Iranit janë karakterizuar nga akuza reciproke, operacione të fshehta dhe një luftë e vazhdueshme në hije.

Pikërisht për këtë arsye, çdo pretendim që lidhet me atentate apo komplote ndaj figurave të nivelit të lartë kërkon prova të forta dhe verifikim të pavarur. Deri tani, pretendimet për një plan iranian ndaj Trumpit janë mbështetur kryesisht në deklarata zyrtare dhe në vlerësime të inteligjencës, ndërsa provat konkrete nuk janë bërë publike.

Dyshimet nuk lidhen vetëm me përmbajtjen e akuzave, por edhe me momentin e publikimit të tyre. Wall Street Journal raportoi se inteligjenca izraelite i kishte përcjellë Uashingtonit informacione për një plan të ri iranian kundër Trumpit në një periudhë kur administrata amerikane po përpiqej të mbante të hapura kanalet diplomatike me Teheranin.

Ky raportim u interpretua nga një pjesë e vëzhguesve si tregues se informacioni i inteligjencës nuk ka vetëm dimension sigurie, por edhe peshë të konsiderueshme politike në përcaktimin e qëndrimeve të Uashingtonit.

Edhe Reuters ka nënvizuar vazhdimisht se çdo incident i ri mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit e bën më të brishtë procesin diplomatik dhe rrit ndjeshëm vështirësinë për të ruajtur armëpushimin apo për të arritur marrëveshje të reja.

Në një klimë të tillë, çdo akuzë e re me peshë strategjike ndryshon jo vetëm atmosferën politike, por edhe koston e kompromisit për të gjitha palët.

Këtu lind edhe pyetja që po shtrohet gjithnjë e më shpesh në qarqet analitike: a mund të shërbejë ky pretendim edhe si një alibi politike për të justifikuar një qasje më agresive ndaj Iranit ose për ta bërë më të pranueshme prishjen e armëpushimit?

Në diplomacinë ndërkombëtare nuk është hera e parë që informacioni i inteligjencës bëhet pjesë e betejës për narrativën, ku perceptimi publik shpesh ndikon po aq sa faktet në terren.

Ish-diplomati amerikan Thomas Countryman ka paralajmëruar se përdorimi i presionit ushtarak dhe i informacionit të inteligjencës si instrument negociues ndaj Iranit rrezikon të minojë vetë procesin diplomatik dhe ta shtyjë Uashingtonin drejt një përshkallëzimi të panevojshëm.

Ndërkohë, analisti i njohur i politikës ndërkombëtare Marwan Bishara ka argumentuar prej vitesh se qeveria e Benjamin Netanyahut e ka ndërtuar strategjinë e saj mbi narrativën e një kërcënimi të vazhdueshëm iranian, duke e përdorur atë për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për politika më konfrontuese.

Këto qasjea nuk provojnë se pretendimi aktual është i pavërtetë, por shpjegojnë pse ai po shihet me skepticizëm nga një pjesë e komunitetit akademik dhe diplomatik. Natyrisht, kjo nuk përjashton mundësinë që kërcënimi të jetë real.

Autoritetet amerikane kanë akuzuar edhe më parë Iranin dhe rrjetet e lidhura me të për komplote kundër ish-zyrtarëve amerikanë. Pikërisht për këtë arsye, çdo informacion i tillë duhet të hetohet me seriozitet dhe pa paragjykim.

Ndaj / Сподели