Aktivisti Dritan Goxhaj i është përgjigjur sulmeve të kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si “retorikë të një pushteti në ikje”. Në reagimin e tij, Goxhaj shprehet se Rama është “njeriu më në hall sot në Shqipëri”, ndërsa e akuzon se po kërkon të zhvendosë vëmendjen nga problemet dhe pakënaqësitë e qytetarëve të cilat janë shprehur dhe po shprehen haptazi prej 25 ditësh përmes protestave masive në Tiranë. Ish-luftëtari i UÇK-së, të cilin Rama e quajti “agjent të Iranit, gjysmë taleban dhe gjysmë mitoman”, thotë se nuk merret me kryeministrin dhe njerëzit që, sipas tij, janë angazhuar në sulme publike ndaj tij dhe grupit koordinator të protestave.
“Unë e mirëkuptoj Ramën në hallin që ka, halli i tij është ekzistencial, Rama i ka dhënë premtime krimit të organizuar dhe këto premtime paguhen me kokë. U ka dhënë premtime krimit të organizuar që do t’u pastrojë paratë me hotelet që do ndërtojnë me ligjet e investimeve strategjike. U ka dhënë premtime oligarkëve që ndërtojnë rrugët dhe do ua japë me çmimet sic i duan ata. Me çmime stratosferike. Është i lidhur ngushtësisht me këtë shkatërrim të vendit.
Është i lidhur me trinomin, ky është politika, krimi dhe oligarkia janë bërë një. Dhe krimi dhe oligarkia e kanë marrë peng këtë kryeministër. Në momentin që ky mendon dorëheqjen, ky mendon kokën. Këtij i rrezikohet koka, por jo nga protestuesit. Për protestuesit ai do ulet nesër në tryezë për të bërë qeverinë tranzitore sepse është palë. Por ai këtë mendon që a do t’i lënë kohë ata që ky të mbërrije deri tek tavolina e bisedimeve.
Ky u ka garantuar parajsën në këtë vend, që ky të rrijë në atë karrige. Prandaj në mënyrën se si flet, ka hall shumë të madh. Është e njëjta retorikë më atë vitit 1990. Mund të shohësh retorikën e Ramiz Alisë. Retorike e një pushteti në ikje. Populli është pronar i këtij vendi. E mirë kuptoj në hallin që ka.
