Në Tetovë është raportuar një rast serioz i mashtrimit në internet, ku një 32-vjeçar, menaxher i një kompanie, është dëmtuar për 175.275 denarë pasi është mashtruar të kryejë pagesë në një llogari të rreme përmes komunikimit elektronik.
Sipas informacioneve nga SPB Tetovë, rasti ka nisur më 6 mars kur denoncuesi ka pranuar një email nga një adresë që dukej shumë e ngjashme me adresën e partnerit të tij afarist nga jashtë vendit. Në mesazh ishte bashkëngjitur edhe një profaturë, gjë që e ka rritur besimin se komunikimi ishte i ligjshëm.
Pa dyshuar në vërtetësinë e emailit, ai e ka realizuar pagesën në llogarinë e treguar në mesazh. Mashtrimi është zbuluar vetëm më 5 maj, gjatë një bisede telefonike me partnerin e vërtetë afarist, ku është konstatuar se ai asnjëherë nuk e kishte dërguar faturën dhe se paratë ishin transferuar në një llogari të rreme.
Pasi e ka kuptuar situatën, rasti është paraqitur në polici, e cila tani po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve.
Ky rast edhe njëherë tregon rrezikun nga mashtrimet e njohura si “business email compromise”, ku sulmuesit përdorin adresa të rreme elektronike për të mashtruar kompanitë dhe për të përfituar transfere financiare.
Lajmi ditës
Biznesmeni nga Tetova humbi mijëra denarë nga një mashtrim, ja detajet
